• e diel, 22 dhjetor 2024

Takim i ministrit Murtezani me ambasadorin e Finlandës, Lindkvist

Takim i ministrit Murtezani me ambasadorin e Finlandës, Lindkvist

Shkup, 16 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me  ambasadorin jo-rezident të Republikës së Finlandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Beograd, Niklas Lindkvist. Në takim u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, bashkëpunimit në korniza të BE-së dhe NATO-s, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.

"Ministri Murtezani falënderoi për mbështetjen parimore finlandeze për politikën e zgjerimit me Bashkimin Evropian,  veçanërisht në kontekst të mbështetjes për Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të deritanishëm, mes dy vendeve, në veçanti në kuadër të NATO-s, ku të dyja vendet janë aleate dhe në mënyrë aktive kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës euroatlantike. Murtezani dhe Lindkvist riafirmuan gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në sferën që mbështet Finlanda për reformat në administratën publike, sundimin e së drejtës dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale të Maqedonisë së Veriut", njoftoi Ministria e Çështjeve Evropiane. 

Bashkëbiseduesit folën edhe për rolin e Finlandës, që është pjesë e grupit joformal "Miqtë e Maqedonisë" në Këshillin e BE-së, me të cilin në mënyrë aktive promovon përafrimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

"Ata theksuan rëndësinë e këtij grupi në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe vazhdimin e procesit të zgjerimit, veçanërisht në kontekstin e Planit të Rritjes së KE-së për Ballkanin Perëndimor", bëhet e ditur në kumtesë.

Ministri dhe ambasadori konstatuan se ekzistojnë mundësi plotësuese për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta, posaçërisht në kuadër të Tuining programit të Bashkimit Evropian.

"Finlanda deri më tani ka marrë pjesë në disa Tuining projekte, me të cilët dukshëm janë përforcuar kapacitetet për menaxhim me mjedisin jetësor, para së gjithash lidhur me cilësinë e ajrit, si dhe në mënyrë shtesë u sigurua mbështetje për përgatitjen e Maqedonisë së Veriut për menaxhimin e Fondit Social Evropian", informon Ministria e Çështjeve Evropiane. fc/

Fotografia: Ministria e Çështjeve Evropiane

 

QËNDRONI TË LIDHUR