Takim i kryetarit të Kuvendit Gashi me Entoni Belanger, sekretar i përgjithshëm i IFJ-së dhe me përfaqësues të SPGM-së
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot realizoi takim me Entoni Belanger, sekretar i përgjithshëm i Federatës ndërkombëtare të gazetarëve (IFJ) ku janë shkëmbyer mendime për kushtet e punës së gazetarëve në vend dhe janë shqyrtuar mundësitë për përmirësimin e tyre, në drejtim të avancimit të gjendjeve të përgjithshme në sferën mediatike në vend.
- Post By Fami Bajrami
- 16:51, 3 prill, 2025

Shkup, 3 prill 2025 (MIA)- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot realizoi takim me Entoni Belanger, sekretar i përgjithshëm i Federatës ndërkombëtare të gazetarëve (IFJ) ku janë shkëmbyer mendime për kushtet e punës së gazetarëve në vend dhe janë shqyrtuar mundësitë për përmirësimin e tyre, në drejtim të avancimit të gjendjeve të përgjithshme në sferën mediatike në vend.
Në takim morën pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, si dhe kryetari i Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë (SPGM), Pavle Bellovski dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj organizate sindikale dhe të IFJ-së.
“Kryetari Gashi në takim theksoi se mediat i konsideron ‘pushteti i katërt’ i cili mund të ndikojë në transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi më të madhe të tri pushteteve tjera. Me fjalë të tjera, siç tha, çdo përmirësim i gjendjeve dhe kushteve të punës në sferën mediatike është investimi për qeverisje më të mirë. Bashkëbiseduesit konkretisht trajtuan propozim-ndryshimet e Ligjit për media i cili tashmë është në procedurë parlamentare dhe është vënë në rend dite në lexim të parë, në seancën e parë të ardhshme të Kuvendit, javën e ardhshme. Më pas u bënë sugjerime për ndërhyrjet e mundshme në tekstin e propozim-ligjit në drejtim të ngritjes së nivelit të të drejtave të punës së gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë mediatikë”, thuhet në kumtesë.
Gashi po ashtu theksoi përkushtimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e plotë të mediave si dhe për transparencën e plotë të Kuvendit ndaj publikut.
“Për këtë qëllim, siç tha, është i nevojshëm ndër të tjera komunikimi i rregullt me përfaqësuesit e mediave. Më pas, Gashi theksoi edhe hapat që po ndërmerren për rritjen e transparencës së pushtetit legjislativ”, theksohet në kumtesën e kabinetit të kryeparlamentarit Gashi.
Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut