Takim Hoxha - Kos kushtuar përparimit të Shqipërisë në procesin eurointegrues
- Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ferit Hoxha sot në Bruksel u takua me komisioneren për zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
- Post By Besnik Shuki
- 17:21, 20 prill, 2026
Tiranë, 20 prill 2026 (MIA) - Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ferit Hoxha sot në Bruksel u takua me komisioneren për zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
"Në fokus ishte procesi i avancuar i negociatave të anëtarësimit, me theks te rëndësia e ruajtjes së momentumit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë në këtë rrugë", ka shkruar Hoxha në rrjetet sociale.
Zgjedhja e Shqipërisë, sipas Hoxhës, është e qartë, rruga drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete.
"Diskutuam gjithashtu zbatimin e Agjendës së reformave në kuadër të Planit të rritjes, i cili, në rastin e Shqipërisë, plotëson procesin e anëtarësimit në BE dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët. Harmonizimi i vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe i një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjitha grupkapitujt e negociatave mbeten prioritetet tona të përditshme", tha Hoxha.
Ai shtoi se gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e një komunikimi të qartë mbi përfitimet dhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike dhe nxitjen e transparencës.
Nga ana e saj, Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke rikonfirmuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë. bsh/
Foto: Hoxha në "Iks"