Takim Gashi - Norlen në Stokholm: Avancimi i marrëdhënieve mes dy shteteve
- - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe delegacioni parlamentar i përbërë nga Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, realizuan takim me kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlean, me ftesë të të cilit vizita zyrtare në Stokholm po zhvillohet më 2 dhe 3 dhjetor 2024, njoftojnë nga Kuvendi.
- Post By Fitore Curri
- 15:08, 3 dhjetor, 2024
Shkup, 3 dhjetor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe delegacioni parlamentar i përbërë nga Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, realizuan takim me kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlean, me ftesë të të cilit vizita zyrtare në Stokholm po zhvillohet më 2 dhe 3 dhjetor 2024, njoftojnë nga Kuvendi.
Kryetari Gashi dhe deputetët u pritën para Parlamentit Suedez nga kryeparlamentari Norlean me nderimet më të larta shtetërore dhe garda, pasuar nga prezantimi i shkurtër i historikut dhe punës së Riksdagut dhe takimi me kryetarin e Parlamentit dhe anëtarët e Komisioneve për Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Riksdagut.
"Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për nikoqirin e tij, si përfaqësues i lartë i vendit mik që ofron mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut përmes projekteve të shumta zhvillimore, duke theksuar veçanërisht mbështetjen për qëllimin strategjik të shtetit - anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian", njoftojnë nga Kuvendi.
Gashi e përshëndeti themelimin e Grupit të Bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut në Kuvendin e Suedisë, si vazhdimësi e bashkëpunimit për zhvillimin demokratik ndërmjet dy parlamenteve, i cili u zhvillua nga viti 2020 deri në vitin 2024 dhe së bashku u vlerësua si shumë i suksesshëm, dhe shprehu besimin se dy grupet e bashkëpunimit do të jenë bazë e mirë për nxitjen e përbashkët proaktive të shkëmbimeve parlamentare dhe gjetjen e formave të reja të bashkëpunimit në të gjitha nivelet.
"Kryeparlamentari Norlen theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale tashmë janë forcuar më tej përmes aleancës në NATO dhe shprehu mirënjohjen për ratifikimin e shpejtë në Parlament të marrëveshjes për anëtarësimin e Suedisë në Aleancë", njoftojnë nga Parlamenti.
Anëtarët e dy delegacioneve shkëmbyen mendime dhe qëndrime për sfidat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe për ndikimin më të gjerë që ka agresioni rus ndaj Ukrainës në kontinentin evropian.
"Bashkëbiseduesit u pajtuan se ka hapësirë për të dyja vendet për të avancuar tregtinë dhe investimet, se mërgimtarët nga Republika e Maqedonisë së Veriut luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se vizita të tilla janë shumë të dobishme për njohjen e ngjarjeve në të dyja vendet", qëndron në kumtesën e Kuvendit. fc/
Fotografia: Kuvendi