• e premte, 05 dhjetor 2025

Takim Bozhinovska-Ru për projektet energjetike vijuese dhe potenciale me BERZH-in

Takim Bozhinovska-Ru për projektet energjetike vijuese dhe potenciale me BERZH-in

Shkup, 30 qershor 2025 (MIA) - Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot zhvilloi një takim pune me Sharlot Ru, drejtor ekzekutiv për Evropën Qendrore dhe Juglindore në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me të cilën diskutuan për projektet energjetike vijuese në Maqedoni.

"BERZH është e përkushtuar në mbështetje të Maqedonisë në zhvillimin e saj energjetik dhe partneriteti ynë tregon qëllimin tonë të përbashkët - rritjen e sigurisë energjetike dhe ekonominë e gjelbër në rajon", potencoi Ru.

Nga Ministria për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale kumtuan se takimi e konfirmoi angazhimin për intensifikimin e dialogut dhe zhvillimin e projekteve të reja që do të kontribuojnë në tranzicionin e gjelbër dhe rritjen ekonomike të Republikës së Maqedonisë.

Në takim u theksua veçanërisht rëndësia e zhvillimit të parkut të erës Bogdanci 2 dhe progresi i interkonektorit me Greqinë, të cilët do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit energjetik dhe integrimin në tregun rajonal. Nga ana e BERZH-it, është shfaqur interes i veçantë për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik, me fokus në mundësitë që i ofron hidrocentrali i Kozjakut.

U shqyrtua dhe procesi i vazhdueshëm i zhvillimit të planit master Grid, i cili është thelbësor për stabilitetin e rrjetit elektroenergjetik dhe për të mundësuar një pjesë më të madhe të energjisë nga burimet e rinovueshme. Është diskutuar dhe për modernizimin e sistemit për kontroll dhe monitorim (SKADA), si dhe përforcimin e sigurisë kibernetike të rrjetit. Gjithashtu, u potencua rëndësia e zhvillimit të sistemit me bateri për grumbullimin e energjisë nga ana e EMV-së, si dhe instalimi i kapaciteteve shtesë për përforcimin e rrjetit. U diskutua dhe për masat për efikasitet energjetik dhe investimet e mundshme që banka mund të mbështesë në kuadër të strategjisë kombëtare të energjetikës. 

 "Ministria konfirmoi angazhimin dhe partneritetin e saj të fuqishëm me BERZH-in, i cili konsiderohet një aleat strategjik kyç në procesin e tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Të dyja palët janë dakorduar se vazhdimi i bashkëpunimit të suksesshëm do të jetë thelbësor për avancimin e infrastrukturës energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit", theksohet në kumtesë. rq/

Foto: Ministria e Energjetikës

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR