• e hënë, 23 dhjetor 2024

Të shtunën fillon provimi i maturës shtetërore me testin nga provimi i parë ekstern

Të shtunën fillon provimi i maturës shtetërore me testin nga provimi i parë ekstern

Shkup, 20 maj 2024 (MIA) - Pothuaj 15 mijë nxënës që e përfundojnë arsimin e mesëm, këtë të shtunë do ta japin provimin e parë prej gjithsej dy eksternë të maturës shtetërore - gjuhë amtare dhe letërsi. Risi në këtë vit shkollor është ajo se në vend në klasa, testet do të jepen në hapësira të mëdha në shkolla - korridore, sallat sportive shkollore ose në hapësirë tjetër të madhe shkollore, ku ka kushte për dhënien e provimeve.

Sipas të dhënave të Qendrës shtetërore për provime (QSHP), organizatore e dhënies së maturës shtetërore, për sesionin e qershorit janë paraqitur 10.088 kandidatë për provim për gjuhën maqedonase dhe letërsi, 4.189 për gjuhën shqipe dehe letërsi dhe 315 kandidatë për gjuhën turke dhe letërsi.

Provimi i dytë (zgjedhor) ekstern do të jepet më 8 qershor. Janë paraqitur 1.356 kandidatë për matematikë, 13.198 për gjuhë angleze, 37 për gjuhë franceze, 114 për gjuhë gjermane, 84 për estetikë dhe nga një kandidat për gjuhë ruse dhe filozofi.

Sipas llojit të arsimit, 6.341 maturantë janë nga gjimnazet, 8.230 nga arsimi profesional dhe 263 nga arti figurativ.

Materiali për provime do t'u dorëzohet shkollave në mëngjes në ditët kur do të jetë provimi, ndërsa fillimi i testimit për dy provimet do të jetë në ora 10. Dhënien e provimit do ta mbikëqyrin rreth 2.000 testues - arsimtarë, të cilët janë angazhuar në shkolla tjera, e jo në atë të tyre, si dhe rreth 200 vëzhgues nga QSHP, Byroja për zhvillim të arsimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Qendra për arsim profesional dhe stërvitje.

Në hapësirë të madhe do të ketë edhe më shumë moderatorë në një vend, ashtu që kjo risi do të mundësojë kontroll më të mirë të ngjarjeve gjatë provimit dhe do të pamundësojë përshkrim ose ndarje masive të përgjigjeve, siç ka ndodhur vitin e kaluar në grup të aplikacionit Vajber në provimin për gjuhë angleze.

Qëllimi i mënyrës së re të realizimit të provimeve është zgjidhja e pavarur e testit dhe respektimi i rregullave për dhënien e provimit, të cilat ekzistojnë nga vendosja e maturës shtetërore në vitin 2007 (nuk lejohet: shfrytëzimi i çfarëdo mjeteve shtesë - librave, letrës, celularëve ose aparatave tjera elektronike, konsultim me maturantët tjerë, përshkrim, sjellje e pahijshme ndaj personave tjerë në hapësirën, shkruarje e shenjave të pahijshme në test ose tekst, i cili e zbulon identitetin, e tjerë).

Drejtoresha  e QSHP-së Biljana Mihajllovska për MIA-n deklaroi se pret që ky ndryshim të mundësojë atmosferë më të mirë punuese gjatë dhënies së provimit dhe mundësi që maturantët ta shfaqin diturinë e tyre objektive, me çka rezultatet nga matura, siç thotë, do të jenë në përgjithësi të besueshme.

"Apeloj që të gjithë ta bëjnë punën - nxënësit ta tregojnë diturinë e tyre në vend se të tentojmë të përshkruajnë, ndërsa testuesit të mos lejojë tentime të tilla. Dhënia e provimit në hapësirë të madhe do të jetë me disa testues, ashtu që edhe nëse ka ndonjë që aktron se nuk sheh se çka bëjnë nxënësit, siç ka ndodhur vitin e kaluar, do të ketë testues tjetër që atë do ta shoh. Vëzhguesit që janë sistemuar në shkolla mund të largojnë jo vetëm nxënës, nëse shkelet rregullorja për dhënien e testeve, por mund të largojnë edhe testues, i ciloi "i mbyll sytë" ndaj parregullsirave", tha Mihajllovska.

Maturantët, të cilët në sesionin e qershorit nuk do ta japin maturën shtetërore ose jo në tërësi, mund të paraqiten për sesionin e gushtit, kur dy provimet eksterne do të jepen më 12 dhe 14 gusht 2024. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR