Të punësuarit në Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve qe pesë muaj pa rroga, kërkojnë takim me kryeministrin
- Punonjësit e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve sot në konferencë për media informuan se kanë pesë muaj që nuk kanë marrë pagat dhe kanë mbetur pa sigurim shëndetësor dhe pensional. Ata kërkojnë takim me kryeministrin, ministrat e Financave dhe Drejtësisë, si dhe kryetarin e Kuvendit me qëllim që të zgjidhet kjo çështje.
- Post By Fami Bajrami
- 14:04, 29 maj, 2025
Shkup, 29 maj 2025 (MIA) - Punonjësit e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve sot në konferencë për media informuan se kanë pesë muaj që nuk kanë marrë pagat dhe kanë mbetur pa sigurim shëndetësor dhe pensional. Ata kërkojnë takim me kryeministrin, ministrat e Financave dhe Drejtësisë, si dhe kryetarin e Kuvendit me qëllim që të zgjidhet kjo çështje.
Në Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve ka gjithsej 17 të punësuar.
"Kjo nuk është vetëm krizë financiare, por shkelje serioze dhe sistematike e të drejtave tona njerëzore dhe kushtetuese. Në përputhje me nenin 32 të Kushtetutës, çdo punonjës ka të drejtë të fitojë të ardhura adekuate. Dhe përveç kësaj të drejte të garantuar kushtetuese, ne gjysmë viti nuk kemi marrë kompensim për punën tonë. Përveç kësaj, ne kemi mbetur edhe pa sigurim shëndetësor dhe pensional, gjë që kërcënon më tutje sigurinë tonë dhe sigurinë e familjeve tona. Kjo gjendje na çon në një situatë pasigurie sociale, luftë ekzistenciale dhe poshtërim absolut si të punës ashtu edhe të dinjitetit të punëtorit", deklaroi Fitim Ramadani, inspektor i lartë, punonjës në këtë Inspektorat.

Siç tha ai, kërkesat e tyre janë të qarta dhe legjitime.
"Ne jemi njerëz të cilët punojmë çdo ditë, japim rezultate dhe e çojmë sistemin përpara. Kërkesat tona janë të qarta dhe legjitime. Pagesa urgjente e pagave të prapambetura, riaktivizimi i sigurimeve shëndetësore dhe pensionale, dhënia e zgjidhjes së përhershme dhe të qëndrueshme për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate, si dhe funksionimin normal të Inspektoratit", shtoi Ramadani.
Ai i kërkon kryeministrit, në koordinim me ministren e Financave, të Drejtësisë dhe kryetarin e Kuvendit të gjejë një mundësi ligjore për të paguar pagat e papaguara të punonjësve të Inspektoratit. Siç shtoi ai, kjo luftë nuk ka motive politike.
Paralajmëroi se hapi i radhës mund të jetë protesta e punonjësve.
Në pyetjen e gazetarëve nëse deri më tani janë takuar me dikë nga Qeveria, Ramadani është përgjigjur se kanë dërguar kërkesë me shkrim për takim, por deri më sot nuk kanë marrë përgjigje. rq/
Foto: MIA