• e hënë, 23 dhjetor 2024

Të paktën 30.000 të shpërngulur pas vërshimeve shkatërruese në Derna, mijëra të vdekur

Të paktën 30.000 të shpërngulur pas vërshimeve shkatërruese në Derna, mijëra të vdekur

Tripoli, 13 shtator 2023 (MIA) - Të paktën 30.000 persona janë shpërngulur në qytetin Derna të Libisë pas vërshimeve shkatërruese të shkaktuara nga stuhia "Daniel", në të cilat humbën jetën mijëra njerëz, njoftoi sot Organizata Ndërkombëtare për Emigrim, transmetuan agjencitë botërore.

Një mjek në Derna deklaroi sot se më shumë se 2.000 persona i kanë humbur jetët e tyre në vërshime, përderisa autoritetet lindore të Libisë në deklaratat për televizionin lokal vlerësojnë se numri i të vdekurve ka tejkaluar numrin 5.000.

Stuhia "Daniel" e kaploi Mesdheun dhe të dielën e goditi Libinë. 

Ministri në qeverinë lindore Hisham Abu Shkivat në një deklaratë me telefon pas vizitës së tij në Derna tha se nuk e tepron kur thotë se më shumë se 25 për qind e qytetit Derna është zhdukur, se shumë ndërtesa janë rrënuar. 

Qytete të tjera lindore, duke përfshirë edhe të dytin për nga madhësia në Libi Bengazi, gjithashtu ishin goditur nga moti i ligë. 

Zyra e KB-së për koordinim të çështjeve humanitare njoftoi se janë mobilizuar ekipe për ndihmë. fc/

Fotografia: X

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR