• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Të paktën 30 foshnja të lindura para kohe evakuohen nga spitali Al Shifa në Gaza

Të paktën 30 foshnja të lindura para kohe evakuohen nga spitali Al Shifa në Gaza

Kan Junis, 19 nëntor 2023 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës sot kumtoi se së paku 30 foshnja të lindura para kohe janë evakuuar nga spitali Al Shifa dhe do të transferohen në spitalet në Egjipt.

Zëdhënësi i ministrisë Medat Abas deklaroi se foshnjat janë evakuuar sot.

Përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) vizituan spitalin të shtunën në mbrëmje dhe thanë se 32 foshnja kanë qenë në mesin e dhjetëra pacientëve në gjendje kritike në spital, ku ushtarët izraelitë hynë të mërkurën.

Ekipi i KB-së bëri të ditur sot se 291 pacientë mbetën në spitalin Al Shifa pasi ushtarët izraelitë evakuuan pacientë të tjerë, personelin dhe palestinezë të zhvendosur të strehuar atje.

“Të tjerët, përveç foshnjave, janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, pacientë të lënduar me plagë të infektuara dhe ata me lëndime të shtyllës kurrizore që nuk mund të lëvizin. Evakuimi zgjati për një orë derisa u larguan rreth 2.500 persona të zhvendosur, pacientë dhe personel mjekësor”, kumtoi OBSH e cila drejtoi misionin.

Me pacientët kanë qëndruar 25 punonjës shëndetësorë.

Izraeli prej kohësh pretendon se Hamasi ka një vend komandimi brenda dhe nën spital.

Hamasi dhe të punësuarit në spital i kanë mohuar akuzat e Izraelit.

Ushtarë izraelitë gjenden në spital, duke e kontrolluar për ditë të tëra dhe thonë se kanë gjetur armë.

Largimin masiv nga spitali Izraeli e ka paraqitur si vullnetar, por OBSH kumtoi se evakuimi ishte urdhëruar, ndërsa ata që mbetën aty e përshkruan këtë si një eksod të detyruar.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR