• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Stoltenberg: Organizimi i zgjedhjeve presidenciale ruse në territoret e okupuara në Ukrainë është i paligjshëm

Stoltenberg: Organizimi i zgjedhjeve presidenciale ruse në territoret e okupuara në Ukrainë është i paligjshëm

Bruksel, 14 mars 2024 (MIA) - Përpjekjet e Rusisë që të organizojë zgjedhje në territoret e okupuara në Ukrainë janë plotësisht të paligjshme dhe përfaqësojnë shkelje të të drejtës ndërkombëtare, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për pritjet nga zgjedhjet presidenciale në Rusi, të cilat zbatohen prej nesër deri të dielën. 

"Zgjedhjet e lira dhe korrekte janë bërthama e çdo demokracie, ndërsa zgjedhjet në Rusi nuk janë as të lira, as korrekte, sepse të gjithë e dimë se politikanët opozitarë janë në burg, disa janë vrarë, ndërsa shumë të tjerë janë në ekzil. Disave, u është pamundësuar e drejta që të kandidohen në zgjedhje", theksoi Stoltenberg në konferencën për media në të cilën më parë e prezantoi Raportin vjetor të NATO-s për vitin 2023.

Sipas Stoltenberg, në bazë të gjithë kësaj që tani mund të thuhet se zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk do të jenë as të lira, as korrekte, sepse që të jenë të tilla është e nevojshme që të ketë konkurrencë, lista të ndryshme të kandidatëve, diskutim të hapur dhe media të lira dhe të pavarura. 

"Në Rusi nuk ka liri dhe pavarësi të mediave, mediat janë të ekspozuara në presione ose të mbyllura", shtoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg theksoi se presidenti rus Vladimir Putin është në pushtet me dekada dhe askush nuk pret që zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të sjellin ndryshime në Kremlin.

"Gjatë zgjedhjeve të mëparshme të vitit 2018, OSBE-ja, e cila vëzhgoi zgjedhjet, vlerësoi qartë se kishte kufizime në liritë themelore dhe gjatë paraqitjes së kandidaturave, gjë që çoi në mungesë konkurrence në zgjedhje. Nuk ka arsye për të besuar se diçka është përmirësuar tani, përkundrazi, tani (Rusia) është edhe më pak e lirë dhe e hapur në krahasim me vitin 2018", shtoi Stoltenberg.

Sipas tij, e drejta e pjesëmarrjes në zgjedhje të lira dhe korrekte është thelbi i çdo shoqërie demokratike, por qytetarët rusë nuk mund të shpresojnë në liri dhe ndershmëri kur politikanët opozitarë janë në burgje ose në ekzil, ndërsa mediat nuk janë të lira. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR