• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stano: Sa më shpejtë të mbahen zgjedhje në veri të Kosovës, me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve

Stano: Sa më shpejtë të mbahen zgjedhje në veri të Kosovës, me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve

Prishtinë, 3 shtator 2023 (MIA) - Me rëndësi është që sa më shpejtë të organizohen zgjedhje lokale në veri të Kosovës, ku serbët do të marrin pjesë pa kurrfarë parakushte, deklaroi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.  

Ai, për gazetën prishtinase Koha, e ka përsëritur qëndrimin se zgjedhjet lokale në prill nuk ofruan zgjidhje politike afatgjate.

“Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, ka thënë Stano.

Ai shtoi se ato zgjedhje duhet të mbahen në përputhje me dakordimin e arritur për shtensionimin e situatës.

“BE-ja nënvizon deklaratën e përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratisllavë në korrik”, tha Stano. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR