• e diel, 22 dhjetor 2024

Stano: Prioriteti kryesor i BE-së është zbatimi i obligimeve që i pranuan Prishtina dhe Beogradi

Stano: Prioriteti kryesor i BE-së është zbatimi i obligimeve që i pranuan Prishtina dhe Beogradi

Bruksel, 11 mars 2024 (MIA) - Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar sot se prioritet kryesor i Brukselit është zbatimi i obligimeve që Prishtina dhe Beogradi i kanë pranuar si pjesë e dialogut.

“Të dyja palët nuk kanë bërë shumë për zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut dhe prioriteti ynë kryesor është të fillojmë përmbushjen e obligimeve që kanë marrë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Ai shtoi se BE-ja nuk mund të hyjë në detaje dhe të komentojë procedurat dhe hapat e ndërmarrë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të rënë dakord nga Prishtina dhe Beogradi  më 18 mars 2023, transmeton Beta.

Për rastin Banjskë, Stano tha se BE-ja ende është në pritje të raportit zyrtar përfundimtar për incidentin, për të parë se kush është përgjegjës për konfliktin e armatosur mes një grupi të armatosur të serbëve dhe pjesëtarëve të policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Deri më tani nuk kemi parë një dokument të tillë në Bruksel", tha zëdhënësi i BE-së. ls/

Foto: Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR