• e premte, 05 dhjetor 2025

Spiropali: Miratohet rezoluta e PE-së për Shqipërinë, vlerësim i progresit në rrugën drejt BE-së

Spiropali: Miratohet rezoluta e PE-së për Shqipërinë, vlerësim i progresit në rrugën drejt BE-së

Tiranë, 9 korrik 2025 (MIA) - Pas debatit të mbajtur mbrëmë, si dhe pas miratimit paraprak, në datën 4 të muajit të kaluar, nga ana e Komitetit për punë të jashtme (AFET), Parlamenti Evropian sot, në një seancë plenare në Strasburg miratoi raportin për progresin e Shqipërisë për vitin 2023 dhe 2024.

E para që reagoi ndaj lajmit ishte kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila, në një postim në rrjetet sociale, vlerësoi se ky raport përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe "konfirmon mbështetjen e gjerë që gëzon procesi i zgjerimit në Parlamentin Evropian".

"Ne mirëpresim raportin e Parlamentit Europian, vlerësojmë rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës, dhe falënderojmë eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit", shënoi mes tjerash Spiropali.

Në mënyrë të veçantë, rithekson mirënjohjen për raportuesin për Shqipërinë, Andreas Shajder, për angazhimin e njëmëndtë, qasjen objektive dhe të balancuar si ndaj të arritjeve ashtu dhe sfidave që kemi përpara dhe mbi të gjitha bshkëpunimin e përpjekjet e përbashkëta.
 
 "Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë", shënoi më tutje Spiropali. sa/

Foto: Spiropali FB

QËNDRONI TË LIDHUR