• e martë, 24 dhjetor 2024

Spasovski: I gjithë sistemi duhet të konsolidohet në aspektin e hetimeve, gjykimeve dhe kryerjes së sanksioneve

Spasovski: I gjithë sistemi duhet të konsolidohet në aspektin e hetimeve, gjykimeve dhe kryerjes së sanksioneve

Shkup, 17 dhjetor 2023 (MIA) - I gjithë sistemi duhet të konsolidohet në aspektin e hetimeve, gjykimeve dhe kryerjes së sanksioneve. Është diçka që duhet ta kuptojmë dhe ta pranojmë si situatë që duhet të ndryshojë, tha sot numri një i policisë, Oliver Spasovski, duke komentuar deklaratën e ambasadores amerikane Anxhela Ageler se institucionet duhet të shihen në sy dhe të pyesin veten se çfarë kanë mundur të bëjnë që të parandalohet vrasja e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska.

"Këtë e them shumë shpesh deri tani - edhe kur flisja për mosndëshkimin e gjithë atyre që grabitën shtetin dhe ishin kryesorët në shoqëri pa bartur përgjegjësi, kur flisja për konsolidimin e sistemit gjyqësor. Ndryshimi dhe konsolidimi i sistemit duhet të bëhet shpejt dhe me efikasitet", tha Spasovski në deklaratën për mediat në Manastir.

Lidhur me veprimet e policisë, Spasovski thotë se për këtë flasin numrat.

"Për qytetarët është e rëndësishme që kriminelët që në momentin e parë të arrestohen, të kenë një trajektore në të cilën do të shohin dhe ta dinë se ka ardhur deri te sanksioni ose marrja e pasurisë së fituar në rrugë kriminale. I gjithë sistemi duhet të konsolidohet lidhur me hetimet, gjykimet dhe aspektin e kryerjes së sanksioneve që të mos na ndodhë kur MPB-ja i arreston kriminelët, për një kohë të shkurtër t'i shohim në shtëpi ose pa mos i caktuar masë adekuate", theksoi Spasovski.

Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler në intervistën për Kanal 77 lidhur me vrasjen e Vanjës tha se nuk është koha për politizim dhe se institucionet duhet ta shikojnë njëri-tjetrin në sy dhe të pyesin se çfarë kanë mundur të bëjnë për ta parandaluar vrasjen e vajzës.

“Sistemi dështoi ta mbrojë atë vajzë të vogël. Ato janë kriminelë, janë njohur si kriminelë, kriminelë të dhunshëm që nuk ishin në burg. Nuk ishin arrestuar më herët dhe nuk ishin burgosur, nuk kishin pasur ndjekje të plotë penale për krimet e tyre të mëhershme, nuk e kanë pasur çmimin e veprave të tyre dhe atë e pagoi vajza e vogël, e pagoi Vanja. Është absolutisht shumë e dhimbshme dhe nuk është koha për politizim por është koha që institucionet e vendit të shikojnë veten me zemër të ftohtë dhe të pyeten se çfarë mund të kishim bërë më shumë për ta mbrojtur këtë vajzë të vogël dhe çdo fëmijë tjetër të vogël në këtë vend”, deklaroi ambasadorja amerikane Ageler.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR