• e hënë, 23 dhjetor 2024

Snopçe: ZNAM kanë tendencë të veprojnë sikur të jënë në fushatë zgjedhore, qëndrimi i tij është një, ndërsa realiteti është tjetër

Snopçe: ZNAM kanë tendencë të veprojnë sikur të jënë në fushatë zgjedhore, qëndrimi i tij është një, ndërsa realiteti është tjetër

Shkup, 11 korrik 2024 (MIA) - Nuk kemi biseda me ZNAM-in. Ata kanë tendencë të veprojnë sikur janë në fushatë zgjedhore, por zgjedhjet kaluan. Ata kërkojnë një qëndrim, megjithatë qëndrimi është një, ndërsa realiteti është diçka tjetër, deklaroi sot në konferencën për shtyp deputeti i koalicionit "Vlen" Halil Snopçe, në një përgjigje të pyetjes së gazetarëve për reagimin e ZNAM se presin që institucionet të ndërmarrin masa rreth shkeljes së ligjeve, pasi sërish ishte vendosur flamuri shqiptar në Qeveri.

Snopçe theksoi se qëndrimi i ZNAM nuk mund të jetë ekzekutiv. Sipas Snopçes, duhet të ketë kompromis ndërmjet të gjitha partive politike në qeveri, sepse merren vendime të përbashkëta.

"Me ZNAM nuk kemi patur biseda. Ata kanë tendencë të veprojnë sikur janë në fushatë zgjedhore. Zgjedhjet kaluan, duhet të vetëdijësohen. Qëndrimi i tyre është një, megjithatë realiteti është diçka tjetër. Nuk mundet qëndrimi i tyre për ne të ekzekutohet. Ata tani duan të përfitojnë politikisht, megjithatë kjo është puna e tyre. Duhet të ketë kompromis ndërmjet të gjitha partive në qeveri. Ne marrim vendime të përbashkëta". tha Snopçe.

Ai theksoi se qeveria dhe partneriteti është sjellje e forcave, jo sjellje e fuqisë.

"Nëse është sjellje e forcave, secili me forcat dhe mundësitë e tij jep kontribut. Nëse shkojmë sipas logjikës në lidhje me fuqinë, ai që është më i fuqishmi do të diktojë dhe atëherë më nuk do të ketë partneritet. Ne jemi pjesë e qeverisë si një nga forcat, pjesë e koalicionit të shumicës së re. Si lidhje e forcave, të gjithë kemi ndikim të përbashkët dhe veprojmë në drejtim të njejtë, në interes të shtetit të luftojmë kundër dukurive devijuese në shoqëri", shtoi Snopçe.

Ndryshe, kjo vjen pasi dje zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në takim me studentët sërish ka vendosur flamur shqiptar në hapësirat e Qeverisë. Në konferencën për shtyp sot, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve zëdhënësi i ZNAM Nikolla Memov theksoi se do ta kenë rolin e korrigjuesit në Qeveri dhe se pret që institucionet të ndërmarrin masa për shkeljen e ligjeve.

Ai theksoi se Lëvizja ZNAM në biseda me partnerin VMRO-DPMNE për pjesëmarrjen e tyre në Qeveri i ka definuar parimet bazë dhe parimet për funksionimin e Qeverisë.

"Këto janë respektimi i Kushtetutës dhe ligjet si prioritet bazë, ndërsa gjithashtu edhe parimi të gjithë ministrat të punojnë në zbatimin e programit qeveritar, të përgjigjen vetëm para Qeverisë dhe kryeministrit, ndërsa jo si deri tani të zbatojnë programet e tyre partiake. Lëvizja ZNAM e hapi këtë çështje në suaza të koalicionit qeveritar. Presim që institucionet e sistemit ta kryejnë punën e tyre dhe të ndërmarrin masa adekuate rreth shkeljes së ligjeve, pa dallim se nga cila anë vijnë ato shkelje", theksoi Memov në konferencën për shtyp. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR