• e diel, 22 dhjetor 2024

Sistem kombëtar me një sportel për përshpejtim dhe lehtësim të transportit dhe tregtisë

Sistem kombëtar me një sportel për përshpejtim dhe lehtësim të transportit dhe tregtisë

Shkup, 7 shkurt 2024 (MIA) - Sistem kombëtar me një sportel, për zbatimin e të cilit janë siguruar rreth katër milionë dollarë nga Banka Botërore përmes Projektit për përshpejtim të transportit dhe tregtistë në Ballkanin Perëndimor, duhet të mundësojë lehtësim të tregtisë, përshpejtim të transportit dhe integrim të përshpejtuar në BE.

Tenderi për zbatimin e sistemit, sipas paralajmërimeve, do të publikohet në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa përveç Drejtorisë Doganore e cila është koordinatore, në gjithë këtë proces do të përfshihen gjithsej 16 institucione shtetërore. Sistemi i ri duhet të mundësojë digjitalizim të plotë të dhënies së lejeve, licencave dhe pagesë të tyre, shfrytëzim kolektiv të të dhënave nga ana e institucioneve dhe mundësi për komunikim me institucionet e vendeve të tjera. 

"I njëjti duhet t'i ulë shpenzimet dhe kohën e pritjes së nevojshme për përfundimin e procedurave të eksportit dhe importit. Kjo do të mundësojë lehtësim të tregtisë, përshpejtim të transportit, integrim të përshpejtuar në BE, ndërsa me këtë edhe rritje të konkurrencës së kompanive maqedonase dhe përmirësim të kushteve për bërje biznes. Përmes interpretimit të sistemit do të mundësohet avancim i analizës së rrezikut për të gjitha institucionet të cilat janë përfshirë në dhënien e lejeve në tregtinë ndërkufitare me çka do të ulet numri i kontrolleve, ndërsa njëkohësisht do të rritet cilësia e shërbimeve", deklaroi drejtori i Drejtorisë Doganore Stefan Bogoev.

Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, sektori i biznesit shumë shpejtë do t'i ndjejë përfitimet nga ky sistem.

"Fakti që ne në rajon kemi shumë kufij të cilët përfaqësojnë pengesa të vërteta të cilat realisht janë pengesa objektive për udhëheqjen e biznesit me të cilat kompanitë tona përballen, është arsyeja e parë dhe themelore sepse kur filluam ta zbatonim këtë projekt, mendonim në atë që të lehtësohej transiti i kapitalit dhe fuqisë  punëtore në njërën anë dhe i mallrave dhe shërbimeve në anën tjetër", theksoi Bytyqi. 

Ju bëri thirrje të gjithë personave përgjegjës në këtë projekt, edhe pse po hyjmë në periudhën parazgjedhore, maksimalisht të përkushtohen dhe të punojnë në krijimin e ligjit të ri për sistem me një sportel me qëllim që projekti të rezultojë me zgjidhje ligjore e cila do të aplikohet plotësisht në praktikë. 

"Me qëllim përmenda periudhën parazgjedhore sepse kur isha pjesë e bashkësisë së biznesit e di se gjithmonë kur hynim në periudhën parazgjedhore na thonin tani është kohë për pauzë. Biznesi nuk ka kohë për pauzë, ai nuk mund të presë tre, gjashtë, nëntë muaj derisa politikanët meren vesh se si do ta udhëheqin vendin", potencoi Bytyqi. 

Sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, po punohet në zbatimin e sistemit transportues inteligjent në pjesën jugore të Korridorit 10, i cili bashkë me rehabilitimin e rrugëve do të mundësojë tregti të përshpejtuar dhe transport. 

"Njëkohësisht si pjesë e Projektit të Bankës Botërore po punohet në zbatimin e sistemit transportues inteligjent. Kjo, por edhe rehabilitimi i të gjitha rrugëve, do të mundësojë tregti të përshpejtuar dhe transport", tha Boçvarski.

Përveç vendosjes së sistemit me një sportel, përmes projektit të Bankës Botërore financohet edhe modernizimi i vendkalimeve kufitare. 

"Po vijon vendosja e sistemit për mbikëqyrje video dhe njohje të targave në të gjitha vendkalimet kufitare në vend, me çka do të rritet kontrolli automatik ndaj automjeteve të udhëtarëve dhe të mallrave të cilat i kalojnë kufijtë", theksoi Tatjana Markovska nga Banka Botërore. fc/

Fotografia: Drejtoria Doganore

QËNDRONI TË LIDHUR