• e premte, 05 dhjetor 2025

Siljanovska-Davkova për riemërtimin e rrugëve në Tetovë: Do të zgjidhet ashtu siç duhet - në mënyrë civile, gjithëpërfshirëse, me konsensus

Siljanovska-Davkova për riemërtimin e rrugëve në Tetovë: Do të zgjidhet ashtu siç duhet - në mënyrë civile, gjithëpërfshirëse, me konsensus

Tetovë, 24 korrik 2025 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u takua sonte në Komunën e Tetovës me kryetarin e komunës, Bilall Kasami, ndërsa u përgjigj edhe në pyetjen e MIA-s në lidhje me temën e riemërtimit të rrugëve në qytet. Ajo tha se ka marrë një letër në lidhje me temën e emërtimit të rrugëve, por premtoi gjithashtu se do të bisedojë me kryetarin e komunës.

"Jam e sigurt se meqenëse më ftoi në një ngjarje të tillë, ai i kupton edhe dilemat që më paraqiten dhe mendoj se do të zgjidhet ashtu siç duhet - në mënyrë civile, gjithëpërfshirëse, me konsensus. Ne gjithmonë themi se e ashtuquajtura shumicë e dyfishtë dhe shumica e Badenterit janë njësoj të vlefshme në nivel qendror dhe lokal dhe se askush nuk mund të përjashtohet dhe nuk duhet të përjashtohet kur vendoset për një çështje që ndikon drejtpërdrejt në identitetin, dhe me këtë edhe në integritetin e të gjithë njerëzve", tha presidentja Siljanovska-Davkova.

Ajo theksoi se një nga arsyet pse ndodhet në Tetovë është për të treguar se është presidente jo vetëm e qytetarëve të Shkupit, por e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë.

"Gjithashtu, për të treguar se jam e gatshme të shkoj në vende ku kryetarët e komunave nuk janë të përkatësisë etnike maqedonase, sepse kjo është e parëndësishme për shoqërinë civile. Problemet janë të njëjta kudo, ato prekin të gjithë njerëzit dhe kështu duhet të sillemi", tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ka të njëjtin qëndrim si presidentja.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, së bashku me Kasamin, më pas morën pjesë në mbrëmjen e muzikës maqedonase në shesh, e cila është pjesë e ngjarjes Vera Kulturore e Tetovës. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR