Siljanovska-Davkova në takimin e Komunitetit politik evropian në Kopenhagë – në agjendë Ukraina dhe siguria evropiane
- Forcimi i Ukrainës, situata e përgjithshme e sigurisë në Evropë dhe mundësitë për një kontinent evropian më të fortë dhe më të sigurt në realitetin aktual gjeopolitik do të jenë temat kryesore të takimit të sotëm të Komunitetit politik evropian në Kopenhagë ku do të marrë pjesë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
- Post By Fami Bajrami
- 07:53, 2 tetor, 2025
Kopenhagë, 2 tetor 2025 (MIA) – Forcimi i Ukrainës, situata e përgjithshme e sigurisë në Evropë dhe mundësitë për një kontinent evropian më të fortë dhe më të sigurt në realitetin aktual gjeopolitik do të jenë temat boshte të takimit të sotëm të Komunitetit politik evropian në Kopenhagë ku do të marrë pjesë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Ky takim i shtatë i Komunitetit politik evropian do të fillojë me një seancë plenare, ndjekur nga disa diskutime në panel fokusuar në aspekte të ndryshme të situatës së sigurisë në Evropë, siç janë kërcënimet tradicionale dhe hibride, siguria ekonomike, trafikimi i drogës dhe migrimi.

Siljanovska-Davkova, siç njoftuan nga kabineti i saj, do të mbajë fjalim në panel diskutimin e titulluar "Siguria dhe rezistenca - kërcënime tradicionale dhe të reja" i cili do të drejtohet nga presidenti francez, Emanuel Makron dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
"Gjendemi në vitin e katërt të agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo dëshmon se veprimi kolektiv për të ndërtuar një Evropë të fortë dhe të sigurt është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe të qëndrojmë të bashkuar", theksohet në ftesën drejtuar të liderëve evropianë për të marrë pjesë në takim, dërguar nga bashkëkryesuesit, kryeministrja daneze Mete Frederiksen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.

Në takimin në Kopenhagë është paralajmëruar pjesëmarrja e 47 shefa të shteteve dhe qeverive nga Evropa dhe 27 anëtarëve të BE-së, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, katër anëtaret e Asociacionit evropian të tregtisë së lirë (EFTA), tre republikat e Kaukazit, si dhe Andorra, Mbretëria e Bashkuar, Moldavia, Monako, San Marino, Turqia dhe Ukraina. Përveç kësaj, në takim janë ftuar kryeministrat e territoreve daneze të Grenlandës dhe Ishujve Faroe, si dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, dhe përfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Në pritje të mbledhjes së sotme të punës, pjesëmarrësit në takimin e Komunitetit politik evropian mbrëmë morën pjesë në darkën e shtruar nga Mbreti danez Frederiku i dhjetë dhe Mbretëresha Meri në Pallatin Amalienborg në Kopenhagë.

Komuniteti politik evropian është një platformë me qëllimin kryesor të nxitjes së dialogut politik për të zgjidhur çështje me interes të përbashkët, për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të kontinentit evropian. Deri tani janë mbajtur gjashtë takime të tilla.
Takimet e ardhshme të Komunitetit politik evropian do të mbahen në Armeni, pranverën e ardhshme dhe në Irlandë vjeshtën e vitit 2026.
Foto: Presidenca daneze e Këshillit të BE-së