• e hënë, 23 dhjetor 2024

Siljanovska Davkova në KOP29: Vendet duhet të kenë qasje të përhershme në fondet e veprimit për klimën para anëtarësimit në BE

Siljanovska Davkova në KOP29:  Vendet duhet të kenë qasje të përhershme në fondet e veprimit për klimën para anëtarësimit në BE

Shkup, 12 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin për Ndryshimet Klimatike (KOP29) në Baku, sot u drejtua në sesionin e parë plenar të segmentit në nivel të lartë për shefat e shteteve dhe qeverive.

"U mblodhëm në KOP29 në mes të luftës. Lajmi i mirë është, siç do të thoshin disa, që agresori tashmë po pëson humbje të mëdha dhe me siguri do ta humb luftën. Lajmi i keq është që agresori është vetë njerëzimi, me sistemet e tij të paqëndrueshme të prodhimit dhe shprehitë konsumatore", ka theksuar Siljanovska Davkova.

Nëse nuk e mbajmë ngrohjen globale nën 1,5 gradë deri në vitin 2050, në vend të qëndrueshmërisë dhe rritjes, siç ka theksuar presidentja, duhet të mendojmë për vende adekuate për vendbanim dhe mbijetesë. Në këtë luftë kundër natyrës, më së shumti vuajnë të pafajshmit, fëmijët, popullata e rrezikuar dhe kombet e vogla në zhvillim.

"Të vendosur në një nga rajonet klimatike më të cenueshme në botë, në Mesdhe, ne duhet të përshtatim sigurinë, mbrojtjen, energjinë, shëndetin, turizmin, ujin, arsimin dhe sistemet e tjera me këtë sfidë shumëdimensionale, e cila duhet të përfshijë gjithashtu gratë, fëmijët dhe të rinjtë. Ne mbështetëm deklaratat për veprim të avancuar në fushën e turizmit dhe ujit për veprimin klimatik. Në të njëjtën kohë, emërova një ekspert për ndryshime klimatike në Këshillin tonë të Sigurisë Kombëtare dhe iu bashkuam Grupit të Miqve për Klimën dhe Sigurinë", theksoi Siljanovska Davkova.

Qëllimi ynë, siç ka theksuar presidentja, është ta përshpejtojmë tranzicionin ndaj ekonomisë me konsum të ulët të karbonit në të gjthtë sektorët, duke përfshirë energjinë, transportin, industrinë dhe bujqësinë.

"Për të arritur një rritje të gjelbër, do të investojmë në vende pune të gjelbra dhe do t'i rikualifikojmë punëtorët nga prodhimtaria e energjisë në bazë të karbonit. Tranzicioni i qëndrueshëm i energjisë duhet të jetë i drejtë mjedisor dhe shoqëror. Me miratimin e ligjit për aksion klimatik do të vendosim një kornizë të drejtë për monitorim, verifikim dhe akreditim. Njëkohësisht, do të miratojmë një Ligj të rishikuar për energji dhe  burime të ripërtëritshme", ka theksuar Siljanovska Davkova.

Ajo ka theksuar se këto ligje mbështesin zbatimin e klasterit sfidues "Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme" në negociatat për anëtarësim në BE, për të cilën nevojiten 3,1 miliardë euro për energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik. Plani ekonomik dhe investues dhe Agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor sigurojnë financimin  e kësaj. Pavarësisht progresit në procesin e inkuadrimit në BE, vendet duhet të kenë qasje të përhershme në fondet për veprim klimatik para anëtarësimit.

"Na duhet një marrëveshje paqeje, një marrëveshje e natyrshme, siç do të thoshte Mishel Seres, që të mos e trajtojmë natyrën si kundërshtar dhe të fillojmë ta trajtojmë atë si partner. Marrëveshja e Parisit, qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm janë baza e asaj marrëveshjeje paqësore, e asaj marrëveshjeje natyrore. Le t'i zbatojmë në përputhje me parimin pacta sunt servanda", theksoi në fjalimin e saj presidentja Siljanovska Davkova. sa/

Foto: Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska Davkova 

QËNDRONI TË LIDHUR