Sijarto: Nuk është vetëm te Bullgaria, anëtaret e BE-së që mbështesin zgjerimin në Ballkanin Perëndimor janë pakicë
- Shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto, tha sot nga Shkupi se Bashkimi Evropian publikisht deklarohet se mbështet zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, por prapa dyerve të mbyllura në takimet e 27 vendeve anëtare, shtetet që mbështesin zgjerimin janë pakicë. Ai theksoi se nëse ata ishin të sinqertë në qëllimin e tyre se duam të hyjmë në Union, “nuk do të prisnin 20 vjet për anëtarësimin e plotfuqishëm”.
- Post By Fami Bajrami
- 16:02, 13 qershor, 2025
Shkup, 13 qershor 2025 (MIA) - Shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto, tha sot nga Shkupi se Bashkimi Evropian publikisht deklarohet se mbështet zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, por prapa dyerve të mbyllura në takimet e 27 vendeve anëtare, shtetet që mbështesin zgjerimin janë pakicë. Ai theksoi se nëse ata ishin të sinqertë në qëllimin e tyre se duam të hyjmë në Union, “nuk do të prisnin 20 vjet për anëtarësimin e plotfuqishëm”.
"Bullgaria po pengon hapur përpjekjet tuaja të integrimit, por ju po prisni 20 vjet me radhë për këtë, sepse bullgarët po kundërshtojnë. Mos u zemëroni, por duhet të them se situata në lidhje me këtë është shumë më e vështirë. Në këtë moment, ato vende anëtare të BE-së që mbështesin zgjerimin në Ballkanin Perëndimor janë pakicë", deklaroi Sijarto në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Maqedonia, Timço Mucunski.
Sijarto theksoi se gjatë presidencës hungareze të BE-së, ata bënë përpjekje të forta për të përshpejtuar procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE, por ata vazhdimisht hasën në mure, dhe siç tha ai, "këto mure u ndërtuan, në fakt, nga ato vende që e mbështesin hapur gjithë këtë proces".
"Ne sinqerisht e mbështesim Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye jemi pakicë në BE, sepse nuk duhet ta mashtrojmë veten se shumica e shteteve anëtare kur vijnë tek ju, ju drejtohen publikisht me fjalë të bukura se sa shumë e mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Por kur mbetemi vetëm prapa dyerve të mbyllura, ne 27 vende- anëtare, atëherë shumica menjëherë fillon të flasë pse BE-ja nuk mund të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor. Por natyrisht edhe në të ardhmen atë do ta demantojnë dhe do të flasin shumë bukur, por nëse mendojnë seriozisht, a nuk mendoni se duhet të pritet 20 vjet për anëtarësim?!, theksoi Sijarto.
Ai thotë se për momentin jetojmë në një kohë rreziku, sepse në Evropë dhe përreth asaj po ndodhin konflikte të rënda të armatosura dhe të gjitha këto sfida rrisin gjithashtu nevojën për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore.

Ai theksoi gjithashtu se Hungaria e konsideron të papranueshme atë që Brukseli dëshiron ta pranojë Ukrainën në BE jashtëzakonisht shpejtë, në të njëjtën kohë vende shumë më të zhvilluara dhe më të përgatitura që janë në një situatë më të mirë se Ballkani Perëndimor, "anëtarësimi i tyre po pengohet vazhdimisht dhe bëhet më i vështirë".
"Prandaj Hungaria i jep gjithë mbështetjen e saj vendeve të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt për t'u bashkuar me BE-në. Ne e mbështesim absolutisht Maqedoninë e Veriut në këtë dhe po punojmë për të siguruar që negociatat thelbësore me Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë Sijarto.
I pyetur nëse Hungaria do të mbështesë hapjen e negociatave me Ukrainën, ai tha se anëtarësimi i Ukrainës në BE mund të shkaktojë dëme dhe vështirësi serioze për BE-në.
"Integrimi i përshpejtuar i Ukrainës në BE mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe vështirësi të mëdha për vetë BE-në. Ne nuk duam të importojmë luftë në territorin e BE-së. Ne nuk duam që drithërat me cilësi të dobët nga Ukraina ta vërshojnë BE-në. Nuk duam që Hungaria të jetë një strehë për mafian ukrainase dhe nuk duam që paratë nga qytetarët hungarezë të dërgohen në Ukrainë", tha Sijarto.
Foto: MIA