• e diel, 22 dhjetor 2024

Shoqata Tradita: Mbrojtja e biodiversitetit - sfidë e përbashkët

Shoqata Tradita: Mbrojtja e biodiversitetit - sfidë e përbashkët

Tetovë, 4 dhjetor 2024 (MIA)- Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, më 4 dhjetor 2024, në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Komunën e Bogovinës e organizoi tribunën me temë: “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në Malin Sharr - imperativ shoqëror”.

Ky aktivitet kishte për qëllim ndërgjegjësimin e publikut dhe edukimin e brezit të ri, përkatësisht edukimin e nxënësve për kontributin që duhet të japin në promovimin e vazhdueshëm dhe mbrojtjen e një mjedisi të shëndetshëm dhe të dobishëm për të gjithë qytetarët. Selam Sulejmani, kryetar i Shoqatës “Tradita” dhe njëherazi koordinator i projektit theksoi se, mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës është sfidë e përbashkët e gjithë shoqërisë sonë, e të gjitha institucioneve arsimore dhe organizatave joqeveritare, prandaj të gjithë së bashku duhet të punojmë në promovimin e vazhdueshëm të vlerave të mbrojtjes dhe zhvillimit të një mjedisi të shëndetshëm e të dobishëm për qytetarët tanë.

Drejtori i këtij institucioni të arsimit fillor në Komunën e Bogovinës, Enes Misimi tha se shkolla që ai e drejton i mbështet projektet dhe iniciativat që i shërbejnë interesit të përgjithshëm, sidomos aktivitetet që lidhen me mbrojtjen e resurseve natyrore.

Në këtë veprimtari me rëndësi, pikëpamjet e tij shkencore para nxënësve të shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, i prezantoi dhe Dr. Agron Salihi. Ai deklaroi se biodiversiteti në territorin e Malit Sharr dhe shumë pasuri tjera natyrore, e bëjnë këtë lokalitet tejet të pasur nga aspekti ekologjik, por edhe një guidë të vërtetë turistike për vizitorët vendës dhe të huaj. Eksperti, Salihi, ndër të tjera u shpreh se, Mali Sharr është shumë i njohur për florën dhe faunën dhe është i pasur për nga genofondi i ekosistemeve të cilat kërkojnë kujdesin dhe mbrojtjen tonë nga dëmtimi ose shkatërrimi i kësaj pasurie natyrore.

Projekti “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në Malin Sharr - imperativ shoqëror” realizohet nga Shoqata “Tradita” në kuadër të projektit “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore (Korab - Koritnik - Mali Sharr dhe Alpet Shqiptare), i mbështetur nga CNVP- PONT.

QËNDRONI TË LIDHUR