• e mërkurë, 08 janar 2025

Shkupi mëngjesin e sotëm qyteti më i ndotur në Evropë, i shtati në botë

Shkupi mëngjesin e sotëm qyteti më i ndotur në Evropë, i shtati në botë

Shkup, 8 janar 2025 (MIA) – Shkupi edhe sot në mëngjes është në mesin e 10 qyteteve me ndotje më të madhe të ajrit në botë. Sipas tabelës në platformën për matje të ndotjes së ajrit “Aj kju air”, në orën 9:45 kryeqyteti gjendet në vendin e shtatë në botë dhe është qyteti më i ndotur në Evropë. 

Me vlerë të nivelit të grimcave të dëmshme PM nga 164 njësi ajri në Shkup është në kategorinë e shënuar me të kuqe si ajër “jo i shëndoshë”. 

Listën e qyteteve më të ndotura e kryesojnë Daka (197) në Bangladesh, Lahori ( 180) në Pakistan dhe Delhi në Indi (174).

Nga qytetet në Evropë, pas Shkupit, sipas ndotjes së ajrit janë Sarajeva në vendin e 35-të, Bukureshti në vendin e 36-të dhe Prishtina në vendin e 37-të. 

Gjatë ditëve të kaluara kryeqyteti është në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe botë. 

Kryeministri Hristian Mickoski deklaroi dje se mënyra e vetme që të ulet emetimi i grimcave të dëmshme është në periudhën e dimrit të ndryshohet sistemi i ngrohjes së shtëpive. Ai tha se po punohet në atë, por, se nevojitet kohë dhe para së gjithash ndërtim i centraleve të gazit. 

“Po punohet për ndërtimin e centraleve të gazit. Një në pesëmbëdhjetë investitorë është i tillë, i interesuar për ndërtimin e centraleve të tilla të gazit. Por do të duhet kohë, të paktën dy deri në tre vjet që gjithçka të funksionojë. Mund të duhen më shumë, ndoshta pesë apo gjashtë vjet për të ndërtuar tubacionet e ujit të ngrohtë”, tha Mickoski.

Nga Qyteti i Shkupit këto ditë informuan se po zbatohen kontrolle të përforcuara inspektuese dhe po shqiptohen dënime. Njëherësh akuzuan se nga 14 institucione kompetente për mjedisin jetësor, vetëm ata janë në teren. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s/Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR