Shkatërrimi i biodiversitetit do të ketë pasoja fatale për njerëzimin
- Në vijim të realizimit të fazës së parë të projektit “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në Мalin Sharr - imperativ shoqëror” sot Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” - Tetovë, në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” – Tearcë, e organizoi tribunën e radhës para nxënësve të këtij institucioni të arsimit fillor.
- Post By Fami Bajrami
- 15:20, 16 tetor, 2024
Tetovë, 16 tetor 2024 (MIA)- Në vijim të realizimit të fazës së parë të projektit “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në Мalin Sharr - imperativ shoqëror” sot Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” - Tetovë, në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” – Tearcë, e organizoi tribunën e radhës para nxënësve të këtij institucioni të arsimit fillor.
Kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani foli për ecurinë e projektit dhe implementimin e tij edhe në Komunën e Tearcës. Ai po ashtu shtoi se projekti ka për synim informimin profesional-shkencor për florën dhe faunën; sensiblizimin e shoqërisë për rëndësinë e mbrojtjes së biodiversitetit; ndalimin e prerjes dhe të çdo dëmtimi tjetër të pyjeve; pyllëzimin e pyjeve të shkatërruara, si dhe mbrojtjen e botës shtazore.
Ndërsa Agron Salihi, në cilësinë e ekspertit u shpreh se biodiversiteti, aktualisht është një ndër problemet më të mëdha në botë.
“Është vlerësuar se rrjedha me këtë trend të kërcënimit të ekosistemeve natyrore do të paraqesë rrezik për të ardhmen e njerëzimit dhe mund të sjellë pasoja të rënda në natyrë. Sipas të dhënave më të reja shkencore nga viti 1992 kur u mbajt Samiti i Rios, rreth 11,4 % e mjediseve të paprekura në botë janë ndryshuar nga njeriu. Supozohet se vetëm në 50 vitet e fundit, veprimet e njeriut e kanë ndryshuar diversitetin e jetës në planet më tepër se në çdo etapë tjetër të historisë së njerëzimit. Ekspertët supozojnë se nëse do të vazhdohet me këtë trend, humbja e biodiversitetit do të ketë pasoja fatale për njerëzimin. Vlerësimet e fundit shkencore parashikojnë se me ritmet e sotme të shpyllëzimeve brenda 25 deri 30 viteve të ardhshme do të zhduken deri 10% të llojeve të njohura në planet”, deklaroi Agron Salihi.
Në përfundim të ligjëratës së tij para nxënësve, ai tha se pasojat e kësaj humbjeje do të reflektohen edhe në ekonominë botërore dhe në zhvillimet shoqërore në përgjithësi, duke pasur parasysh faktin se afërsisht 40% e ekonomisë botërore dhe 80% e nevojave të njeriut, plotësohen nga resurset biologjike.
Mbajtja e tribunës së sipërpërmendur u mirëprit nga autoritetet e shkollës dhe u vlerësua se informimi dhe sensibilizimi i nxënësve dhe jo vetëm, për dukuri që e rrezikojnë ekosistemin natyror, është i domosdoshëm.
Projekti “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në Malin Sharr - imperativ shoqëror” realizohet nga Shoqata “Tradita” në kuadër të projektit “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore (Korab - Koritnik - Mali Sharr dhe Alpet Shqiptare), i mbështetur nga CNVP-PONT.