• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shkarkohet drejtori i Kardiokirurgjisë

Shkarkohet drejtori i Kardiokirurgjisë

Shkup, 27 maj 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, sot kumtoi se është shkarkuar drejtori mjekësor i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Marjan Shokarovski. Është shkarkuar edhe drejtuesja e Programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, Aleksandra Eftimova.

Në konferencë për shtyp, Demiri tha se pas informacioneve për vdekshmëri më të lartë në këtë Klinikë është formuar një komision dhe në raportin që ka marrë të premten nuk ka pasur lëshime të mëdha, por sot ka marrë informacion se 170 pacientë nuk janë futur rregullisht në "TerminiIm".

"Tek unë kanë mbërritur gjetje se është rritur shkalla e vdekshmërisë në Klinikë. Kam formuar një komision dhe raportin e kam marrë të premten dhe nuk ka pasur lëshime të mëdha. Por sot kam marrë një tjetër informacion, se për 170 pacientë nuk janë dorëzuar informacione në "TerminiIm" për letrat e lëshimit dhe vdekjet, ndaj mendoj se shifra e vdekshmërisë mund të ndryshojë", tha Demiri.

Shokarovski, siç theksoi ministri, është shkarkuar edhe për shkak të prishjes së marrëdhënieve ndërpersonale në Klinikë.

"Në një institucion kaq të lartë, çrregullime të tilla të marrëdhënieve ndërpersonale janë të papranueshme. Duke qenë se jam ministër në largim, doja ta shtyja këtë dhe procedura të zbatohej nga ministri i ardhshëm ose unë vetë nëse vazhdoj të shërbej. Aty duhet të emërohet drejtor dikush nga jashtë", tha Demiri.

Shokarovski u emërua drejtor i ri pasi ministri i mëparshëm Fatmir Mexhiti e shkarkoi drejtorin shumëvjeçar të Kardiokirurgjisë, Sashko Jovev.

Lidhur me shkarkimin e drejtueses së programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, Demiri tha se ka kërkuar informacion nga Komisioni për ekspertët e huaj që janë punësuar përmes këtij programi, por që nuk ka marrë një informacion të tillë. Siç kumtoii, për një ekspert të tillë janë ndarë 700 euro mëditje.

"Me programin për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, ekspertët e tillë kanë mëditje prej 700 euro. Kërkova një raport nga Aleksandra Eftimova, e cila drejton programin. Ajo është shkarkuar për shkak se nuk kanë dhënë informacione se cilët janë ata ekspertë që po vijnë, kinse nga Dedinja e Republikës së Serbisë, theksoi Demiri. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR