• e diel, 22 dhjetor 2024

SHBA-ja po vlerëson rreziqet nga rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit 

SHBA-ja po vlerëson rreziqet nga rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit 

Uashington, 10 prill 2023 (MIA) - SHBA-ja po përpiqet të vlerësojë rreziqet e sigurisë kombëtare që lidhen me rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me pushtimin rus të Ukrainës, njoftoi Pentagoni.

Rrjedhja e dokumenteve sekrete të zbuluar javën e kaluar nga gazeta “Nju Jork tajms” i referohet kryesisht vlerësimeve dhe raporteve të shërbimeve të inteligjencës amerikane lidhur me luftën në Ukrainë, por edhe aleatëve amerikanë.

"Është nisur bashkëpunim ndërinstitucional që të vlerësojë ndikimin e rrjedhjes së këtyre dokumenteve të regjistruara mbi sigurinë kombëtare dhe mbi aleatët dhe partnerët tanë," tha zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Sing.

Dokumentet që qarkullojnë në rrjetet sociale mund të jenë të vlefshme për Moskën, duke zbuluar shkallën në të cilën inteligjenca amerikane depërtoi në ushtrinë ruse, raportuan mediat amerikane.

Bi-Bi-Si theksoj se jo vetëm që këto dokumente tregojnë shumë për gjendjen e ushtrisë ukrainase, por ato tregojnë edhe për aleatët e tjerë të Uashingtonit - nga Izraeli në Korenë e Jugut. Këto dokumente zbulojnë diskutimet e brendshme që vendet e përmendura po bëjnë për Ukrainën, si dhe çështje të tjera të ndjeshme.

Ministria amerikane e Drejtësisë të shtunën hapi menjëherë një hetim mbi skandalin në përpjekje për të identifikuar burimin e rrjedhjes dhe ende po vlerëson besueshmërinë e dokumenteve të publikuara.

“Uashington Post”, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë, thekson se disa nga dokumentet duket se janë falsifikime. Por shumica korrespondojnë me raportet e CIA-s që qarkullojnë në Shtëpinë e Bardhë, Pentagon ose Departamentin e Shtetit, shtoi burimi.

“Njujork tajms” thekson sot se disa dokumente përmbajnë informacione për vendet aleate të SHBA-së dhe në një prej tyre, për shembull, ka diskutime qeveritare në Korenë e Jugut për mundësinë e dërgimit të raketave amerikane në Ukrainë. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR