SHBA-ja ka informuar KB-në se Trampi dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë deri më 8 gusht
- Presidenti amerikan, Donald Tramp ka vënë në dijeni se deri më 8 gusht duhet të arrihet marrëveshje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, deklaruan nga SHBA para Këshillit të Sigurimit të KB-së.
- Post By Fami Bajrami
- 21:17, 31 korrik, 2025
Uashington, 31 korrik 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp ka vënë në dijeni se deri më 8 gusht duhet të arrihet marrëveshje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, deklaruan nga SHBA para Këshillit të Sigurimit të KB-së.
"Rusia dhe Ukraina duhet të bien dakord për armëpushim dhe paqe të qëndrueshme. Është koha për marrëveshje. Presidenti Tramp e ka bërë të qartë se kjo duhet të ndodhë deri më 8 gusht. SHBA është e gatshme të zbatojë masa shtesë për të siguruar paqen", deklaroi Xhon Keli, një diplomat i lartë amerikan para këshillit prej 15 anëtarësh.
Të martën, Trampi tha se SHBA do të fillojë të vendosë tarifa dhe masa të tjera kundër Rusisë "për 10 ditë nga sot" nëse Moska nuk arrin përparim drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. Kievi dhe Moska zhvilluan tre raunde bisedimesh në Stamboll këtë vit, gjatë të cilave ranë dakord të shkëmbejnë të burgosurit e luftës dhe trupat e ushtarëve të vrarë, por nuk pati asnjë përparim në përfundimin e konfliktit më shumë se trevjeçar.
"Kishim ndërmend të vazhdojmë negociatat në Stamboll", deklaroi zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në KB, Dmitri Polanski para Këshillit të sigurimit. Vazhdojmë të dëgjojmë zërat e atyre që mendojnë se diplomacia është vetëm një mjet për të kritikuar Rusinë dhe për të rritur presionin mbi të", shton Polanski.
Zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e Ukrainës në KB, Hristina Hajovishin tha se Rusisë duhet t'i afrohemi me "unitet, vendosmëri dhe veprim". "Ne kërkojmë paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të bazuar në parimet e Kartës së KB-së. Asgjë më pak. Përsërisim - armëpushim i plotë, i menjëhershëm dhe pa kushte është absolutisht i nevojshëm. Ky është hapi i parë drejt përfundimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës", shton Hajovishin.