Sharl Mishel propozon krijimin e një Këshilli të Sigurisë të BE-së sipas modelit të KB-së
- Ish kryetari i Këshillit evropian, Sharl Mishel propozon krijimin e një Këshilli të Sigurisë të BE-së, në kompetencë të të cilit do të ishin vendimet që lidhen me mbrojtjen e Unionit.
Bruksel, 25 shtator 2025 (MIA) - Ish kryetari i Këshillit evropian, Sharl Mishel propozon krijimin e një Këshilli të Sigurisë të BE-së, në kompetencë të të cilit do të ishin vendimet që lidhen me mbrojtjen e Unionit.
Në një kolumnë në gazetën franceze "Ekspres", Mishel shpjegon se kjo strukturë duhet të funksionojë sipas modelit të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, me anëtarë të përhershëm dhe anëtarë jo të përhershëm në rotacion, dhe mund të shërbejë si bazë për krijimin e një armate kibernetike evropiane të ardhshme.
"Shtatëdhjetë e pesë vjet pas Deklaratës së Shumanit, sfidat, si ato (evropiane) të brendshme ashtu edhe ato globale, krijojnë një kolazh kompleksiteti të paparë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore - një krizë klimatike, transformimi i inteligjencës artificiale gjeneruese dhe vënia në pikëpyetje brutale e rendit global bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara", shton Mishel në shkrim.
Sipas tij, të gjitha këto sfida e vendosin gjeneratën e sotme përballë nevojës për të marrë vendime të guximshme dhe të domosdoshme, me të cilat do t’i jepet një impuls i ri Bashkimit Evropian dhe do të respektohen angazhimet për demokraci, paqe dhe prosperitet.
Ai në kolumnë thekson gjithashtu edhe se BE-ja duhet urgjentisht të forcojë konkurrencën e saj dhe të çlirojë potencialin inovativ të bllokut, përmes thjeshtimit dhe eliminimit të barrierave në tregun e brendshëm evropian.
Përveç Këshillit të Sigurisë dhe armatës kibernetike, Mishel propozon edhe krijimin e Fondit për sovranitetin e BE-së, si dhe ndryshime në mënyrën e marrjes së vendimeve në bllok, përmes ndryshimit të rregullave për përdorimin e të drejtës së vetos. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s