• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Shaqiri në takim me prindërit e SHFK "Todor Janev" në Çashkë

Shaqiri në takim me prindërit e SHFK

Veles, 30 nëntor 2023 (MIA) - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot pasdite ka takuar Këshillin e Prindërve të SHFK “Todor Janev”, banorët e Çashkës dhe kryetarin e Komunës Goran Stojanovski, me të cilët ka biseduar për gjetjen e zgjidhjes për paralelen e sapoformuar në gjuhën shqipe.

Banorët e Çashkës protestojnë tashmë dy javë duke kërkuar që këta nxënës të kthehen në klasën e gjuhës maqedonase. Klasa me gjashtë nxënës të klasës së parë në mësimin e gjuhës shqipe ka nisur që nga e enjtja e kaluar. Gjithsej 59 nxënësit e mbetur nga klasa e dytë deri në klasën e nëntë të nacionalitetit shqiptar vazhdojnë të mësojnë në klasa së bashku me nxënësit maqedonas.

Pas takimit, ministri Shaqiri nuk dha deklaratë por nga Këshilli i prindërve thanë se kanë marrë një premtim se MASH-i do t'ia kthejë ingerencat komunës, të cilat i janë hequr disa muaj më parë.

Derisa zgjati takimi, para ndërtesës komunale protestuan prindërit dhe banorët e Çashkës.

Në lidhje me, siç thonë ata, funksionimin e paligjshëm të u.d. të drejtoreshës së shkollës, Elena Nikollova, kanë marrë premtim nga ministri Shaqiri se edhe kjo çështje do të shqyrtohet.

Nga dita e premte protestës i janë bashkuar edhe mësimdhënësit.

Në vitin shkollor 2023/24 në SHFK "Todor Janev" mësojnë 210 nxënës, ndërsa me 104 nxënës të shkollës rajonale në fshatin Melnicë numri i përgjithshëm i nxënësve është 314. Në vendbanimin Çashkë mësimin e ndjekin 65 nxënës nga komuniteti etnik shqiptar. Ata me transport të organizuar vijnë nga vendbanimet Banjica, Otishtino, Çashkë e Epërme, Elovec, Gollozincë, Busillcë, Kriva Krushë dhe Novo Sellë. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR