• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shënohet Dita e planetit Tokë

Shënohet Dita e planetit Tokë

Shkup, 22 prill 2024 (MIA) - Bota sot e shënon Ditën e planetit Tokë, nismë ndërkombëtare, qëllimi i së cilës është ta ngritë vetëdijen tek njerëzit për mbrojtjen  e mjedisit jetësor dhe ruajtjen e planetit.

Dita e Tokës shënohet për të 55-tën herë. Ajo shënohet çdo 22 prill, ndërsa për herë të parë kjo ndodhi në vitin 1970 në SHBA, në organizim të senatorit amerikan, Gejlord Nelson dhe aktivistit Denis Hejs. Gjatë demonstratave të para, mbi 20 milionë njerëz dolën në rrugët e SHBA-së

Sipas organizatës ndërkombëtare "Dita e planetit Tokë", këtë vit temë kryesore është lufta kundër plastikës nën titullin "Planeti kundër plastikës".

Iniciatorët, përndryshe, erdhën në idenë për organizim të "Ditës së planetit Tokë" kur bota e pa dëmin nga derdhja e 11 milionë litrave naftë në Oqeanin e Qetë, që ndodhi si pasojë e fatkeqësisë gjatë punës në platformën për naftë afër Santa Barbarës, Kaliforni, SHBA.

Dita e planetit Tokë në mbarë botën shënohet me aksione të shumta, siç janë grumbullimi i mbeturinave, mbjellja e drinjve, protesta për luftë kundër ndryshimeve klimatike, punëtori edukative etj. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR