• e martë, 24 dhjetor 2024

Sfidë më e madhe për Bursën e Maqedonisë është mungesa e investitorëve të huaj, është i nevojshëm informim më i madh

Sfidë më e madhe për Bursën e Maqedonisë është mungesa e investitorëve të huaj, është i nevojshëm informim më i madh

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Sfida më e madhe për Bursën e Maqedonisë është mungesa e portfolios së huaj të investitorëve, ndërsa që të tejkalohet kjo sfidë është i nevojshëm prezantim më i mirë i tregut të kapitalit të Maqedonisë së Veriut. Përfaqësues të shtëpive brokere kroate, banka, fonde investuese dhe pensionale sot janë në Shkup me qëllim që në mënyrë të hollësishme të njoftohen me tregun e kapitalit në Maqedoni dhe të tentojnë të gjejnë interesim dhe mundësi për investime. 

Drejtori kryesor ekzekutiv i Bursës së Maqedonisë, Ivan Shteriev thotë se është mirë që shtytës themelor i tregut të kapitalit të Maqedonisë së Veriut janë investitorët nga Maqedonia e Veriut, por nevojiten edhe investitorë nga jashtë të cilët do të sjellin lëvizje dhe praktika të reja në bursë.

"Jemi të vetëdijshëm se duhej të ngrinim informacionin e ndërsjellë për të dy tregjet në një nivel më të lartë, sepse nëse duam që të kthehen më shumë investitorë të huaj , ata duhet të njohin produktet tona, infrastrukturën tonë dhe të gjejnë interes biznesi dhe mundësi investimi në tregun tonë. Në vitet e kaluara kemi pasur disa vite të mira, por shtytës kryesor i tregut janë investitorët maqedonas dhe një pjesë e mirë e personave fizikë maqedonas. Kjo është e mirë dhe e dëshirueshme, por nuk është strukturë ideale e qarkullimit. Ne dëshirojmë të kemi më shumë investitorë nga jashtë, ata do të sjellin qarkullim të ri dhe praktika të reja", tha Shteriev para fillimit të "Ditëve të tregut të kapitalit në Maqedoninë e Veriut" që mbahen në Shkup.

Sipas kryetares së Bordit Drejtues të Bursës së Zagrebit, Ivana Gazhiq, konsolidimi rajonal është shumë i rëndësishëm.

"Ne zotërojmë 100 për qind të Bursës Sllovene, tani 30 për qind të Bursës së Maqedonisë. Ne mendojmë se çelësi i suksesit është shkëmbimi i përvojave dhe njohurive dhe afrimi i tregjeve tona me investitorët vendas. Kroacia ka një bazë shumë të rëndësishme investitorësh dhe qëllimi ynë është tu prezantojmë kompanitë maqedonase dhe ekonominë maqedonase, të cilat ata ndoshta nuk i kanë njohur aq mirë deri më tani", tha Gazhiq, e cila erdhi në Shkup së bashku me pjesëmarrësit kroat në tregun e kapitalit.

Dhe për një nga shtëpitë më të mëdha brokere në Kroaci dhe në Slloveni, "Interkapital", integrimi i rajonit është i rëndësishëm sepse investitorët potencialë e shohin rajonin si tërësi.

"Integrimi i tregut është i rëndësishëm për gjithë rajonin, jo vetëm për tregun lokal, sepse investitorët e huaj na përjetojnë si një rajon - nuk ekziston Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, por ata investojnë në këtë pjesë të botës. Mendoj se lidhja përmes projekteve në bursa dhe përmes projekteve të tjera infrastrukturore është shumë me rëndësi", thotë Matko Maraviç nga "Interkapital" kroat.

Ngjarja e sotme në Shkup është në organizim të Bursës së Maqedonisë dhe të Zagrebit dhe në të marrin pjesë përfaqësues të brokerëve dhe bankave nga Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, fonde investuese dhe pensionale, kompani, rregullatorë dhe pjesëmarrës të tjerë në treg. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR