• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sela sërish zgjedhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët, paralajmëron fitore në zgjedhje

Sela sërish zgjedhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët, paralajmëron fitore në zgjedhje

Shkup, 18 shkurt 2024 (MIA) - Ziadin Sela është zgjedhur për kryetar të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa nga funksioni është shkarkuar Arben Taravari në kongresin e sotëm të katërt të partisë. Në kongresin e jashtëzakonshëm, që, siç tha Sela në deklaratë për media, është konvokuar sipas vendimit të Kuvendit të përgjithshëm të partisë, e në të cilin është ndërmarrë iniciativë për shkarkimin e Taravarit, kanë marrë pjesë 591 delegatë, aq sa ka partia, me çka kanë mundur ligjërisht të meren vendime me shumicë të thjeshtë dhe prej dy të tretave.

"Me propozim të degëve të Aleancës për Shqiptarët, në kongresin e sotëm në mënyrë statutare është vendosur që unë të jem kandidati i vetëm për kryetar të partisë, gjë që unë e pranova. Ne jemi në situatë, në të cilën na solli ish kryetari, por i bindi qytetarët dhe anëtarët e Aleancës për Shqiptarët se do të bëhemi edhe më të fuqishëm dhe më konkurrues, për të dalë dhe ballafaquar edhe me qytetarët në zgjedhjet e ardhshme dhe të fitojmë në ato zgjedhje", deklaroi Sela, pas përfundimit të kongresit.

I pyetur se kush është tash kryetar legal i partisë, Sela u përgjigj se kryetar është ai që zgjedhet ashtu siç shkruan në Statutin e partisë dhe shtoi se të drejtën për zgjedhje ose shkarkim e ka anëtarësia e partisë dhe organet e partisë, e jo Taravari ose Sela. Ai e akuzoi Taravarin për disa shkelje, duke filluar nga kodeksi etik i partisë, e duke mbaruar me Statutin, i cili, tha ai, është shkelur në disa nene.

"Sot unë nuk shkarkova askënd, por isha vetëm njëri prej atyre që votuan. Kryetar legal është ai që zgjedhet aty ku jepet përgjegjësia, edhe nga kryetari i partisë, edhe nga cilido funksionar i zgjedhur nga Aleanca për Shqiptarët. Javën e kaluar ne kemi pasur Kuvend qendror, ku kryetari i partisë vendosi të mos vijë dhe të ikë nga përgjegjësia. Kuvendi qendror është organi, i cili vendos dhe ai ka ndërmarrë iniciativë për mbajtjen e këtij Kongresi të katërt të jashtëzakonshëm. Për këtë shkak sot jemi këtu që ta respektojnë atë që është shkruar në Statutin e partisë dhe sot Kongresi vendosi me 591 vota të shkarkohet zotëri Taravari nga funksioni kryetar i partisë", tha Sela.

Ai i bëri thirrje Taravarit që ta respektojë vendimin që e miratoi Kongresi, dhe, siç tha, të kthehet në atë që do të thotë organe partiake dhe të fillojë ta respektojë Statutin.

Në pyetjen nëse Aleanca për Shqiptarët në mënyrë të pavarur do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare dhe nëse do të ketë kandidat të tij për president të shtetit, Sela tha se vendimin për këtë do të marrin Kuvendi qendror dhe Kryesia qendrore, ndërsa mediumet me kohë do të informohen për këtë.

"Sot është dita kur Aleanca për Shqiptarët kthehet në struktura dhe i kthehet vetes. Muajt e kaluara për fat të keq Aleanca për Shqiptarët ishte treg për biznese për partitë tjera politike. Aty qëndron përgjigja pse nuk u konvokuan organet e partisë - Kryesia qendrore, ku duhesh të ballafaqohesh. Prej sot kthehemi në organet e partisë, duke filluar në Kuvendin qendror, Kryesinë qendrore, ku do të marrim vendime për të cilat do të informoheni", tha Sela.

Të premten në Shkup kongres mbajti krahu i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Arben Taravari, në të cilin ai është rizgjedhur për kryetar të partisë.

Përçarja në parti filloi pasi Taravari publikoi se do ta përkrah opozitën shqiptare në zgjedhje, ndërsa Sela tha se partia nuk është konusltuar për këtë dhe se ata do të shkojnë në zgjedhje në mënyrë të pavarur. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR