Sali - Filipidu: Avancimi i agjendës evropiane dhe forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë
- - Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot takim me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofia Filipidu, në të cilin u diskutuan prioritetet në procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve.
- Post By Fitore Curri
- 14:46, 14 janar, 2026
Shkup, 14 janar 2026 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot takim me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofia Filipidu, në të cilin u diskutuan prioritetet në procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve.
Në takim, siç bëri të ditur MÇE, u diskutua për përshpejtimin e reformave të ndërlidhura me BE-në dhe forcimin e rolit të Ministrisë për Çështje Evropiane si institucion qendror koordinues për procesin e anëtarësimit, si dhe operacionalizimin e strukturave kombëtare të negociatave dhe të agjendës së reformave dhe mekanizmin e reformave dhe rritjes.
Ministri Sali theksoi rëndësinë e ruajtjes së momentit pozitiv në politikën e zgjerimit të BE-së dhe nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës Reformuese, si dhe për finalizimin e dokumenteve kyçe të planifikimit dhe udhërrëfyesve në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës së administratës publike.
Biseda u fokusua edhe në bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve, me theks të veçantë në mundësinë e rifillimit të aktiviteteve në kuadër të Memorandumit për Përshpejtimin e Procesit të Integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE (nënshkruar në prill 2019), përmes shkëmbimit të përvojës, ekspertizës dhe njohurive në zbatimin e politikave të BE-së.
Ministri Sali dhe ambasadorja Filipidu vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit INTERREG IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Greqi, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës publike, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e arsimit dhe inovacionit, si dhe forcimin e qeverisjes lokale dhe rajonale në zonat kufitare.
Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, ministri Sali riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për vazhdimin e reformave dhe për ruajtjen e harmonizimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si shenjë e orientimit strategjik evropian të vendit.
Në fund të takimit, të dy palët konfirmuan gatishmërinë për të vijuar koordinimin e rregullt dhe bashkëpunimin konkret, në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. fc/
Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane