• e martë, 26 nëntor 2024

Rute në Prishtinë: BE-ja nuk duhet të drejtojë gishtin te "fajtori" në kontestin Kosovë-Serbi

Rute në Prishtinë: BE-ja nuk duhet të drejtojë gishtin te

Prishtinë, 4 korrik 2023 (MIA) - Kryeministri i Holandës, Mark Rute, i cili së bashku me homologun e tij nga Luksemburgu, Ksavier Betel, sot ndodhet në Kosovë, tha se vendi i tij mbështet Kosovën dhe Serbinë në rrugën e dialogut me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Rute tha se ulja e tensioneve në zonat e veriut të Kosovës, të populluara me shumicë serbe, është domethënëse jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për prosperitetin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

"Sot shprehëm shqetësimin tonë për rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Holanda dhe Luksemburgu po përpiqen të normalizojnë dhe të depërshkallëzojnë situatën në drejtim të dialogut, për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve. Besoj se kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për prosperitetin drejt integrimeve në BE", tha Rute.

Sipas kryeministrit holandez, vënia e gishtit nga Brukseli te "fajtori" në kontestin aktual ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ndihmojë në qetësimin e situatës.

"Nuk e di nëse duhet t'ia drejtojmë gishtin fajtorit, Kosovës apo Serbisë, sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Ne duam të ndihmojmë. Në momentin që BE fillon të kërkojë fajtorin dhe të tregojë gishtin, ndërsa të dyja palët thonë se kanë të drejtë, ne humbasim pozicionin", tha Rute.

Kryeministrat e Holandës dhe të Luksemburgut kanë mbërritur në Prishtinë nga Beogradi, ku dje janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vizita e tyre në të dy vendet, siç deklaruan mbrëmë pas takimit me Vuçiqin, synon të kontribuojë në qetësimin e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Para takimit me Kurtin, Rute dhe Ksavier janë pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR