Rumania përgatitet të marrë komandën e EUFOR-it
- Rumania përgatitet ta marrë komandën mbi forcat ushtarake të Bashkimit Evropian në Bosnja e Hercegovinë (EUFOR). Katër helikopterë me shumë qëllime IAR-330 tashmë janë stacionuar në bazën Butmir në afërsi të Sarajevës, ku është edhe komanda e EUFOR-it. Helikopterët janë destinuar për operacione transportuese dhe evakuim mjekësor.
- Post By Sara Ademi
- 10:05, 14 janar, 2025
Bukuresht, 14 janar 2025 (MIA) - Rumania përgatitet ta marrë komandën mbi forcat ushtarake të Bashkimit Evropian në Bosnja e Hercegovinë (EUFOR). Katër helikopterë me shumë qëllime IAR-330 tashmë janë stacionuar në bazën Butmir në afërsi të Sarajevës, ku është edhe komanda e EUFOR-it. Helikopterët janë destinuar për operacione transportuese dhe evakuim mjekësor.
Sipas planit të rotacionit të vendosur më parë, gjeneral majori rumun Florin-Marian Barbu do të marrë detyrat e komandantit të EUFOR më 31 janar. Gjenerali Barbu (56) mbërrin në BeH nga pozicioni i Shefit të Operacioneve të Forcave të Armatosura Rumune.
BE mori përsipër misionin paqeruajtës në BeH nga NATO në vitin 2004, duke krijuar një operacion të quajtur Altea. Thelbi i misionit është një batalion manovrash shumëkombëshe i përbërë nga ushtarë nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia, ndërsa pjesa tjetër e personelit ushtarak është vendosur në 20 zyra ndërlidhjeje në të gjithë vendin.
Operacioni Altea u krijua në bazë të marrëveshjes Berlin Plus ndërmjet NATO-s dhe BE-së, e cila parashikon dislokimin e forcave të Aleancës në rast të përkeqësimit të situatës në terren dhe nevojës për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake për ruajtjen e paqes. Mandati i misionit Altea bazohet në vendimet e Këshillit të Sigurimit të KB-së, të cilat merren një herë në vit. sa/
foto: EPA