• e mërkurë, 09 korrik 2025

Rexhepi: Fronti Evropian në Kuvend parashtroi Propozim-rezolutë për krizën humanitare në Rripin e Gazës

Rexhepi: Fronti Evropian në Kuvend parashtroi Propozim-rezolutë për krizën humanitare në Rripin e Gazës

Shkup, 16 qershor 2025 (MIA) – Koalicioni Fronti Evropian në Kuvend ka parashtruar Propozim-rezolutë për krizën humanitare në Rripin e Gazës. Deputeti Skender Rexhepi nga Fronti Evropian në konferencën e sotme për media në Kuvend njoftoi se rezoluta është miratuar duke u nisur nga parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe ndihmës ndërkombëtare humanitare, përgjegjësisë morale dhe juridike të bashkësisë ndërkombëtare që të kundërshtojë shkeljen e të drejtës së jetës dhe dinjitetit të njerëzve. 

"Situata alarmante në Rripin e Gazës, e cila po përkeqësohet ndjeshëm si rezultat i bllokadës dhe pengesave për hyrjen e ndihmës humanitare, si dhe shqetësimi i thellë për vuajtjet e popullsisë civile në Gazë, veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Për këtë i kemi propozuar Kuvendit të miratojë rezolutën e mëposhtme mbi situatën humanitare në Rripin e Gazës. Ne dënojmë fuqishëm bllokadën humanitare të zbatuar nga Izraeli në Rripin e Gazës dhe e konsiderojmë atë një formë të ndaluar të ndëshkimit kolektiv sipas ligjit ndërkombëtar. Ne kërkojmë urgjentisht nga Izraeli që të lejojë, pa vonesë, hyrjen e ndihmës humanitare, ushqimit, furnizimeve mjekësore dhe mbështetjes logjistike për popullsinë civile në Rripin e Gazës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar", tha Rexhepi, duke shtuar se shprehin solidaritetin e tyre të thellë me popullsinë palestineze në Gazë.

I pyetur për tragjedinë në Koçan, Rexhepi tha se një nga tragjeditë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut ishte zjarri në Koçan dhe shtoi se drejtësia mungon në këtë rast. “Është për të ardhur keq që si Prokuroria ashtu edhe gjyqësori tradicionalisht janë vënë në shërbim të qeverisë. Në këtë rast, në shërbim të kryeministrit, i cili kërkoi publikisht shkarkimin e prokurorit publik, dhe më pas ky i njëjti kërkon një shtyrje për t'i mundësuar prokurorit të veprojë politikisht, dhe jo ligjërisht siç është i detyruar. Kjo është arsyeja pse në rastin e Koçanit kemi një hetim për të gjithë jashtë përfaqësuesve të qeverisë, gjë që është për të ardhur keq për një sistem ligjor dhe besoj se publiku ndërkombëtar duhet të jetë i njohur me këtë mënyrë veprimi ku institucionet që duhet të jenë plotësisht të pavarura ndikohen politikisht”, deklaroi Rexhepi. Ai shtoi se nëse është në Shkup, nesër ka gjasa të marrë pjesë në seancën e Komisionit të Përhershëm Hetimor për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve, ku është planifikuar të mbahet seancë dëgjimore mbikëqyrëse "Mosveprimet e Organeve Shtetërore që Kontribuuan në Tragjedinë në Koçan më 16.03. 2025".

Në pyetjen e gazetarëve për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe për kandidat për kryetar të komunës së Studeniçanit, Rexhepi tha se Fronti Evropian është tashmë në fazën e bisedimeve dhe presin që sa më shpejtë të finalizohen marrëveshjet. Paralajmëroi se publikisht do të dalin si Front Evropian me vendim. “Vlerësojmë se pikërisht në komunën Studeniçan lëvizja ‘Populli’ është favorit kryesor dhe kjo është kërkesa jonë gjatë bisedimeve, por nuk do të jemi pengesë për marrëveshje të përbashkët. Do të jemi tolerantë sipas punëve të rëndësishme të cilat janë në shtet”, tha Rexhepi. 

I pyetur nëse mbetet në Frontin Evropian, Rexhepi thotë se për të është e turpshme që t’i japin ofertë dhe se oferta të tilla, siç tha, më shumë do të më turpëronin se sa do të më jepnin ndonjë prioritet. 

Rexhepi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, sqaroi se nëse ka bisedime ndërmjet kryetarit të BDI-së dhe Taravarit ato megjithatë nuk janë bisedime private por bisedime mes BDI-së dhe Taravarit dhe kjo nuk është në kuadër të Frontit Evropian. “Fronti Evropian do të marrë vendim për çfarëdo lloj bashkëpunimi, me cilëndo parti politike, sipas interesave të tij dhe diskutimeve të cilat do të hapen në debat publik”, nënvizoi Rexhepi. fc/

Foto dhe video: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR