• e premte, 05 dhjetor 2025

Republika Çeke i dërgon Ukrainës municione të reja dhe paralajmëron trajnim të zgjeruar për pilotë

Republika Çeke i dërgon Ukrainës municione të reja dhe paralajmëron trajnim të zgjeruar për pilotë

Pragë, 5 maj 2025 (MIA) - Republika Çeke do të zgjerojë programin për trajnim të pilotëve ushtarakë ukrainas dhe do të vazhdojë me furnizimin me municione për Ukrainën, deklaroi kryeministri çek Petr Fijala pas takimit me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski në Pragë.

Vizita e Zelenskit në kryeqytetin çek është pjesë e përpjekjeve të tij për të bashkuar partnerët evropianë të Ukrainës në një kohë kur SHBA-ja po përpiqet të negociojë armëpushim me Rusinë.

Republika Çeke, një nga mbështetëset më të zëshme të Ukrainës, po udhëheq një iniciativë për të siguruar municione për Kievin, me mbështetje financiare nga aleatët perëndimorë. Vitin e kaluar, Praga i dërgoi Ukrainës rreth 1,5 milion granata.

Fijala sot deklaroi se që nga fillimi i vitit 2025, Ukraina ka marrë tashmë mbi gjysmë milioni granata, ndërsa ai dhe Zelenski, së bashku me presidentin çek Petr Pavel, publikuan se deri në fund të vitit, Kievi mund të marrë gjithsej 1,8 milion.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Zelenskin, Fijala deklaroi se një Ukrainë e armatosur mirë është garancia më e mirë e sigurisë së Evropës. Ai shtoi se Republika Çeke do të zgjerojë trajnimin për pilotët ukrainas, duke përfshirë edhe për drejtim të aeroplanëve luftarakë F-16, megjithëse nuk publikoi detaje.

Edhe pse Republika Çeke nuk disponon F-16, ajo i ka siguruar Ukrainës simulatorë për trajnim të pilotëve për helikopterë, thekson Rojters.

Zelenski e mbështeti krijimin e një shkolle ukrainaso-çeke për trajnimin e pilotëve të F-16. "Ne jemi të gatshëm ta zbatojmë këtë projekt sa më shpejt të jetë e mundur", tha presidenti ukrainas.

Në fillim të vizitës së tij në Pragë, Zelenski deklaroi se një armëpushim me Rusinë mund të shpallet në çdo moment. Ai u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të ushtrojnë më shumë presion mbi Moskën dhe shtoi se Presidenti i SHBA-së Donald Tramp u pajtua që një armëpushim 30-ditor është hapi i duhur drejt përfundimit të luftës. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR