• e enjte, 14 nëntor 2024

Rektori i UT-së mori pjesë në Konferencën Shkencore “Zhvillimi i Konstitucionalizmit Shqiptar 1912-2024”

Rektori i UT-së mori pjesë në Konferencën Shkencore “Zhvillimi i Konstitucionalizmit Shqiptar 1912-2024”

Tetovë, 2 korrik 2024 (MIA) - Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, sot mori pjesë në Konferencën Shkencore me temë “Zhvillimi i Konstitucionalizmit Shqiptar 1912 - 2024”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Konferenca Shkencore u mbajt në ambientet e Akademisë së Kosovës. 

Zejneli prezantoi studimin e tij “Vlerat themelore të rregullimit kushtetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Ai theksoi se bazuar në përcaktimin e trajtës së qeverisjes, strukturës, emërtimit të institucioneve themelore kushtetuese dhe praktikës së funksionimit të tyre, hasim dallime dhe ngjashmëri në kuadër të organizimit, funksionimit të sistemit juridik - kushtetues në shtete me trajtë të njëjtë ose të ndryshme të qeverisjes. Republika e Maqedonisë së Veriut ka një periudhë të gjatë të tranzicionit kushtetues, nisur nga momenti kur ka qenë pjesë e federatës jugosllave dhe pas shpalljes së pavarësisë si shtet i pavarur. Fakti i të qenit shtet multietnik, e bën të veçantë zhvillimin juridiko - historik, në etapa të ndryshme, gjithmonë duke respektuar përcaktimet për të drejtat e komuniteteve. Krahas vlerave themelore veçohet parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve, të cilët u takojnë të gjitha bashkësive, në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet dhe çështja e vendimmarrjes sipas parimit të njohur të badinterit.

Në këtë veprimtari shkencore morën pjesë personalitete të shquara nga sfera akademike si, Prof. Dr. Arsim Bajrami, Prof. Dr. Gjyljeta Mushkolaj, Iljaz Ramajli, Muharrem Shabani, Prof. Dr. Ismet Saliu, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Dr. Ksenofon Krisa dhe shumë studiues të tjerë. U trajtuan edhe tema mjaft kyçe prej fillesës së gjurmëve të konstitucionalizmit në trojet iliro -shqiptare, pikënisjet e konstitucionalizmit modern shqiptar e deri te sfidat, perspektivat dhe harmonizimi i standardeve konstitucionale konform procesit të integrimit evropian. bsh/

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR