Reformat e dakorduara me vendet e rajonit janë zbatuar 75 për qind ose po zbatohen në vazhdim, porositi eurokomisarja Kos
- – Eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos sot në Shkup në konferencën për media në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të rritjes theksoi se liderët për herë të parë u takuan që të flasin për zbatimin, se janë treguar rezultatet e para, si dhe se 75 për qind e reformave të dakorduara për të gjitha vendet ose janë zbatuar ose ai proces vijon. Ajo potencoi se Plani i rritjes është pjesë kyçe e saj që quhet integrim i përshpejtuar, ku Komisioni planifikon ta integrojë rajonin në tregun e vetëm, si dhe në politikat evropiane të mbrojtjes, sigurisë dhe gatishmërisë, para se vendet e tij të bëhen anëtare të BE-së.
- Post By Fitore Curri
- 14:34, 1 korrik, 2025
Shkup, 1 korrik 2025 (MIA) – Eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos sot në Shkup në konferencën për media në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të rritjes theksoi se liderët për herë të parë u takuan që të flasin për zbatimin, se janë treguar rezultatet e para, si dhe se 75 për qind e reformave të dakorduara për të gjitha vendet ose janë zbatuar ose ai proces vijon. Ajo potencoi se Plani i rritjes është pjesë kyçe e saj që quhet integrim i përshpejtuar, ku Komisioni planifikon ta integrojë rajonin në tregun e vetëm, si dhe në politikat evropiane të mbrojtjes, sigurisë dhe gatishmërisë, para se vendet e tij të bëhen anëtare të BE-së.
“Nëse në Samitin e fundit folëm për plane, tani kemi hyrë në fazën e zbatimit, ky Samit ishte për herë të parë për zbatimin. Po tregojmë rezultatet e para, 75 për qind e reformave të dakorduara për të gjitha vendet ose janë zbatuar ose janë në proces të zbatimit. Një e katërta nuk është përgatitur ende, dhe për këtë arsye i ftoj udhëheqësit të përshpejtojnë këtë zbatim. Le të flas tani për rezultatet konkrete që mund të shihen. Merrni, për shembull, mundësimin e pagesave në një mënyrë shumë më të shpejtë dhe më të lehtë. Thënë thjesht, kjo do të thotë që sipërmarrësit e rinj, për shembull në Shkup ose Tiranë, mund të marrin pagesa nga e gjithë BE-ja, njësoj si subjektet afariste në Madrid ose Vjenë. Kjo vlen për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kos.
Ajo shtoi se janë dakorduar për 11 pika me prioritet dhe theksoi se transformimi është diçka që e përfaqëson këtë proces të përfshirë me Planin e rritjes.
“Sot u takuam pas gati një viti për të folur në takimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe për të rënë dakord mbi hapat për të zbatuar planin e zhvillimit dhe si do të zbatohet ai dhe si të përshpejtohet afrimi drejt BE-së. Në takim, dhashë një porosi të qartë për të shfrytëzuar këtë mundësi. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe ne shohim një angazhim të vërtetë për zgjerim në kryeqytetet e BE-së. Ne duhet të ndërtojmë një Evropë të fortë që kontrollon të ardhmen e saj. Dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë që të gjithë evropianët të punojnë së bashku, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Plani i rritjes sjell përfitime të prekshme socio-ekonomike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Ballkanit Perëndimor, madje edhe para se të bashkohen me BE-në. Prandaj, është përgjegjësia juaj ta zbatoni atë në të mirë të qytetarëve tuaj dhe subjekteve tuaja të biznesit. BE-ja do t'ju ndihmojë me këtë”, tha Kos.
Eurokomisarja theksoi se në takim është folur edhe për përmirësim të lidhjeve, me çka ajo dërgoi urime për marrëveshjen me Bullgarinë për Korridorin 8.
“Urime, për marrëveshjen me Bullgarinë që të punoni në Korridorin 8. Ky Korridor është i rëndësishëm, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, por edhe për gjithë rajonin. Është i rëndësishëm për BE-në, veçanërisht është i rëndësishëm për shkak të asaj që do të marrë pjesë në strategjinë e re për Detin e Zi, të cilin vetëm sa e kushtëzuam në nivel të KE-së. Domethënë do ta lidhim BE-në me vendet e Azisë Qendrore dhe Maqedonia e Veriut këtu luan rol kryesor”, tha Kos.
Ajo theksoi se është biseduar edhe për roamingun theksoi se liderët kanë vullnet të punojnë në drejtim të ndryshimit të ligjeve, me qëllim që të zbatohen më shumë reforma, me çka do të mundësohet roaming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor nga 1 janari i vitit 2026.
“E kuptova se të gjithë duam të garojmë dhe jam e sigurt se Maqedonia e Veriut do të tregojë rezultate. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, do të tregoni se njerëzit tuaj do të mund të komunikojnë përmes telefonit, pa shpenzime shtesë. Mund të arrijmë shumë bashkë dhe bashkë me ekipin tim dhe bashkë me delegacionin evropian këtu në Shkup. Jemi të përkushtuar në mbështetje të partnerëve tanë dhe është kyçe që liderët ta zhvillojnë procesin politik dhe të komunikojnë publikisht për sukseset tona”, tha Kos.
Dhe në konferencë për media foli për tragjedinë në Koçan, duke theksuar se shteti ende po rimëkëmbet nga zjarri.
“Do të doja të shpreh ngushëllimet e mia familjeve dhe të afërmve të viktimave dhe të lënduarve. Tragjedi të tilla si ajo e Koçanit na kujtojnë atë që është më e rëndësishme në jetë, e kjo është familja, miqtë, bashkësia, domethënë njerëzit që ndihmojnë, domethënë solidariteti në veprim dhe solidariteti nga BE-ja ndaj vendeve tona kandidate. Shumë evropianë të tjerë kanë qenë pranë jush, duke ju ndihmuar në muajt e fundit. Jam e lumtur që ramë dakord që kur të vij së shpejti në Maqedoninë e Veriut për vizita dypalëshe, do t'i vizitojmë së bashku të lënduarit në Koçan”, theksoi Kos. fc/
Foto: MIA