• e premte, 05 dhjetor 2025

Reagim i nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademit, lidhur me akuzat e kryeministrit Mickoski

Reagim i nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademit, lidhur me akuzat e kryeministrit Mickoski

Shkup, 8 tetor 2025

Përgjigje e nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademit, lidhur me akuzat e kryeministrit Mickoski për pasurim të funksionarëve në komunat shqiptare, duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shohin përreth tyre dhe të vlerësojnë vetë situatën.

Unë do të doja të përgjigjem në këtë drejtim me gjendjen reale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sot, pasuria e 10 njerëzve më të pasur në Maqedoni, të cilët janë të gjithë nga etnia maqedonase, kap shifrën prej 3.24 miliardë eurosh. Domethënë, 10 njerëzit më të pasur në Maqedoni janë të gjithë të etnisë maqedonase, me një shumë totale prej 3.24 miliardë eurosh.

Shumica prej tyre janë pronarë kompanish që kanë dalë nga procesi i privatizimit – nga ai proces kriminal i privatizimit – përmes të cilit perandoritë e tyre u krijuan duke zhvatur pasuritë publike shtetërore.
Shtatë nga dhjetë kompanitë më të fuqishme në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë produkt i drejtpërdrejtë i këtij procesi kriminal të privatizimit.

Dhe sot, kur flasim për korrupsion, kur flasim për zhvatje të pasurisë publike, është e udhës që të fillojmë pikërisht nga këta persona që zotërojnë gjysmën e ekonomisë së vendit.
Kur kryeministri i vendit flet për korrupsion, është e udhës që të kthehet djathtas e majtas – por edhe të shohë përpara – për të parë gjendjen reale.

Nëse kthehet djathtas, do t’i shohë oligarkët që janë krijuar gjatë periudhës së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Nëse kthehet majtas, do t’i shohë po ashtu oligarkët që janë krijuar gjatë periudhës së qeverisjes së Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Nëse shikon drejt, do të shohë pasqyrimin e portretit të vet në dritaren e veturës luksoze që kryeministri e vozit në emër të popullit.

Ata që kanë çelësat e veturave Maybach e Mercedes janë po të njëjtit që i kanë dhënë kryeministrit Mickoski çelësat e pushtetit për të qeverisur me vendin. Pra, janë oligarkët.


Qëndrimi parimor i BDI-së dhe i Aleancës Kombëtare për Integrim është i qartë: të kemi veting të plotë edhe për procesin e privatizimit – një nga proceset më kriminale dhe më kontraverse të zhvatjes së pasurisë publike.


Është e udhës që, po të kthehemi në të majtë dhe në të djathtë, t’i shohim oligarkët që kanë keqpërdorur pasurinë publike për t’u pasuruar personalisht – dhe që sot diktojnë jo vetëm ekonominë e vendit, por edhe politikën në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të bashkangjitur ua dërgojmë edhe linkun

https://www.swisstransfer.com/d/ca80ee95-b5b6-4c8f-9268-262804ab18e2

Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së

_______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit

Foto: BDI

QËNDRONI TË LIDHUR