• e shtunë, 23 nëntor 2024

Raporti i ESHR-së: Politikat për zhvillim të balancuar rajonal nuk japin rezultatet e pritura

Raporti i ESHR-së: Politikat për zhvillim të balancuar rajonal nuk japin rezultatet e pritura

Shkup, 7 prill 2023 (MIA) - Strategjia për zhvillim rajonal 2021-2031 është miratuar me vonesë, në bazë të përllogaritjes së popullsisë, e cila devijon nga rezultatet e Regjistrimit, ndërsa politikat për zhvillim të balancuar rajonal nuk po japin rezultatet e pritura, konstaton Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) në raportin e auditimit të performancës me temë “Zhvillimi i balancuar rajonal me theks të veçantë demografinë”.

ESHR-ja në këtë analizë, thekson se pabarazitë socio-ekonomike dhe demografike ndërmjet dhe brenda rajoneve planifikuese nuk janë ulur pavarësisht aktiviteteve të ndërmarra në nivel qendror dhe rajonal në vitet e mëparshme.

"Auditimi i kryer dhe treguesit e analizuar të rajoneve tregojnë se aktivitetet e zbatuara dhe mjetet e përdorura për arritjen e qëllimeve strategjike nuk kanë arritur reduktimin e pabarazive ndërmjet rajoneve planifikuese në vend. Dallimet e vazhdueshme rajonale në zhvillimin socio-ekonomik tregojnë për planifikim joefikas të aktiviteteve për zbatimin efektiv të politikës për zhvillim të balancuar rajonal, i cili kërkon rishikimin e masave të parashikuara në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal dhe veprime të koordinuara për uljen e pabarazive, rritjen e atraktivitetit të rajoneve dhe një cilësi më e mirë jetese për popullatën”, citohet në raportin e ESHR-së.

Qëllimi i analizës, siç citon ESHR-ja, është të përgjigjet nëse sistemi i menaxhimit të politikave për zhvillim të balancuar rajonal siguron një reduktim efektiv të pabarazive brenda dhe ndërmjet rajoneve planifikuese dhe kohezionit të tyre përkatës demografik, ekonomik, social dhe hapësinor. 

Siç theksohet, për të nxitur zhvillimin e balancuar rajonal, nga Buxheti i Shtetit duhet të ndahen çdo vit fonde prej të paktën 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), të cilat ndahen për rajonet planifikuese për financimin e projekteve, sipas Vendimit për Klasifikimin e Planit Rajonet dhe shkallës së zhvillimit.

“Auditimi tregon një trend të rritjes së mjeteve të ndara për këtë qëllim në vitet e fundit, por ato nuk janë në masën e përcaktuar me ligj. Në periudhën 2019 - 2021, nga Buxheti i Shtetit, në funksion të zhvillimit të balancuar rajonal, janë ndarë mjete në vlerë të përgjithshme prej rreth 9 miliardë denarësh, që paraqet 46 për qind të minimumit të përcaktuar me ligj, ndërsa janë përdorur 83 për qind, gjegjësisht rreth 8 miliardë denarë , theksohet në raportin e ESHR-së dhe shtohet se ndarja e mjeteve sipas rajoneve nuk është bërë në përputhje me shkallën e përcaktuar të zhvillimit.

Auditimi konstatoi gjithashtu aplikimin jo konsistent të indeksit të zhvillimit gjatë alokimit të fondeve në të gjitha rajonet.

“Rajoni i Shkupit, si rajoni më i zhvilluari, ndonëse duhet të marrë pjesë me 7,2 për qind të fondeve, kurse ai verilindor si më pak i zhvilluar me 17,3 për qind të fondeve të përgjithshme buxhetore për këtë qëllim, për rajonin e Shkupit janë alokuar 26,2 për qind të fondeve, për dallim nga rajoni verilindor që ka marrë 8.4 për qind të fondeve . Janë përcaktuar edhe dobësitë dhe funksionaliteti jo i plotë i sistemit SiReRa, si një platformë e integruar softuerike që ofron mundësi për koordinimin e planifikimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikës për të inkurajuar zhvillimin e balancuar rajonal. Nga PBB-ja totale, 43 për qind krijohet në rajonin e Shkupit, që është më shumë se 8 herë të PBB-së në rajonin verilindor, i cili merr pjesë në PBB-në totale me vetëm 5 për qind dhe ka shkallën më të lartë të papunësisë prej 32,4 për qind, citpohet në raportin e ESHR-së.

Siç theksohet nga ESHR-ja, edhe përkundër veprimeve të ndërmarra në nivel qendror dhe rajonal në vitet e mëparshme, pabarazitë socio-ekonomike dhe demografike ndërmjet dhe brenda rajoneve planifikuese nuk janë ulur.

“Shtimi apo rritja natyrore e popullsisë, si tregues domethënës për përcaktimin e indeksit demografik, që nga viti 2010 ka shënuar rënie të vazhdueshme, pra nga 2.5 për mijë, në vitin 2021 ka shenjë negative dhe arrin në -5.4 për mijë. Një tendencë e uljes së normës së rritjes natyrore vërehet në të gjitha rajonet, ndërsa më e ulëta në rajonet lindore dhe në rajonin e Pellagonisë. Kjo situatë plotësohet nga rezultatet e Censusit të Popullsisë të kryer në vitin 2021, të cilat tregojnë se dy rajone (rajonet e Vardarit dhe ato Juglindore) nuk plotësojnë numrin minimal të kritereve të popullsisë sipas Nomenklaturës së Njësive Territoriale për Statistikat (NNJTS 3) prej 150,000. banorëve, ndrësa rajoni lindor është në kufirin e minimumit të përcaktuar”, citohet në raportin e ESHR-së.

Në dhjetë vitet e fundit, siç theksohet, migrimet e jashtme kryesisht kanë bilanc negativ, dhe më së shumti emigrantë të regjistruar janë regjistruar në rajonin Jugperëndimor, në rajonin e Vardarit dhe rajonin e Pollogut.

“Tendenca e migrimit të popullsisë nga fshatrat çon në braktisjen e tyre. Sipas rezultateve të Rregjistrimit të Popullsisë të kryer në vitin 2021, në vend janë 205 vendbanime/fshatra të lira dhe krahasuar me vitin 2022 numri i tyre është rritur me 40 për qind, pra 58 fshatra të tjerë kanë mbetur pa asnjë banor”, theksohet në raportin e ESHR-së.

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR