• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë vendkalimin kufitar Morina do ta kalojnë me procedurë të përshpejtuar

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë vendkalimin kufitar Morina do ta kalojnë me procedurë të përshpejtuar

Tiranë, 13 prill 2024 (MIA) - Qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë do të kalojnë përmes pikës kufitare të Morinës me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave. Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës.

Protokolli i rishikuar u nënshkrua në Tiranë nga Ministri i Punëve të Brendshme Taulant Balla dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

"Së bashku me homologun tim Sveçla shkruajmë bashkërisht një faqe tjetër në këtë kapitull të ri të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy shteteve tona, në bazë të vullnetit dhe angazhimit të përbashkët mes Qeverive të dy vendeve tona dhe mes dy Kryeministrave për të vijuar politikat për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve në vendkalimet kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës drejt lehtësimit të plotë të kontrolleve në zbatim të marrëveshjes", deklaroi Balla.

Ai shtoi se përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 maj – 30 shtator dhe 1 nëntor – 28 shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 qershor deri në 30 shtator.

"Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona”, pohoi ministri Balla.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se po punohet që qytetarët të mos ndjejnë asnjë kufizim në pikat kufitare.

“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për të bërë më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta", theksoi Sveçla.

Siç informoi Balla, gjatë vitit 2003 për hyrje përmes këtij vendkalimi kufitar, ku prej disa vitesh funksionojnë kontrollet e përbashkëta, janë regjistruar 1.445.204 shtetas shqiptarë dhe 4.430.161 shtetas të huaj, dyfishi i numrit krahasuar me vitin 2021. ls/

Foto: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR