QMK: Zjarri në Sllupçan është lokalizuar
- Zjarri që shpërtheu sot në pyllin me pisha mbi fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës, është plotësisht i lokalizuar dhe vënë nën kontroll.
- Post By Sara Ademi
- 13:38, 17 gusht, 2025
Shkup, 17 gusht 2025 (MIA) - Zjarri që shpërtheu sot në pyllin me pisha mbi fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës, është plotësisht i lokalizuar dhe vënë nën kontroll. Aktualisht ekipet po punojnë për shuarjen e tij të plotë, deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) Muhamed Ali.
Ai informoi se në aksion janë angazhuar 10 pjesëtarë të "Pyjeve Nacionale" – dega Kumanovë me 2 automjete të specializuara për shuarjen e zjarreve pyjore, Njësia e Zjarrfikësve nga Kumanova me një automjet, si dhe një numër i madh banorësh vendas.
QMK citon se drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, është në terren dhe e koordinon tërë aksionin për shuarje dhe ndjek aktivitetet e të gjitha ekipeve të angazhuara.
Gjithsej 10 zjarre deri në orën 12:00 janë regjistruar në hapësirë të hapur. Prej tyre aktive janë gjashtë, një është nën kontroll, ndërsa tre janë shuar. sa/
Foto: QMK