• e shtunë, 06 dhjetor 2025

QMK me SMS mesazh njofton për gjendjen e krizës të shpallur për zjarret

QMK me SMS mesazh njofton për gjendjen e krizës të shpallur për zjarret

Shkup, 10 korrik 2025 (MIA) - Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informoi përmes profilit të saj në Fejsbuk se sot gjatë orëve të pasdites, disa qytetarë kanë marrë një SMS mesazh me përmbajtjen vijuese: "Ju informojmë se është shpallur gjendje krize në lidhje me zjarret dhe ju informojmë se është në fuqi ndalimi i lëvizjes në pyje".

Ata theksojnë se ky është një mesazh testimi me qëllim që të kontrollohen mundësitë për dërgimin e mesazheve të tilla masive, të cilat në të ardhmen duhet të jenë pjesë e një sistemi të quajtur "cell broadcasting" ose dërgimi masiv i mesazheve në rast të një situate krize për raportim dhe alarmim.

Qendra njofton se ky mesazh testimi synon të shqyrtojë mundësitë teknike për krijimin e një sistemi për njoftim masiv të popullsisë në raste të situatave të krizës.

"Ky sistem, i njohur si cell broadcasting, mundëson dërgimin e mesazheve emergjente te të gjithë përdoruesit e telefonisë celulare që ndodhen në një zonë të caktuar gjeografike, pavarësisht nga operatori celular. Qëllimi i tij është të informojë dhe paralajmërojë në kohë dhe në mënyrë efikase popullsinë në raste zjarresh, përmbytjesh, tërmetesh, fenomenesh të rrezikshme të motit ose situatash të tjera krize. QMK është e detyruar ta prezantojë këtë sistem dhe tashmë kanë filluar aktivitetet për përgatitjen e një studimi fizibiliteti që do të vlerësojë fizibilitetin teknik, financiar dhe organizativ të zbatimit të tij", thonë nga QMK.

Nga atje theksojnë se vendosja e sistemeve të tilla nuk është vetëm një nevojë kombëtare, por edhe një detyrim sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian, i cili i detyron të gjitha shtetet anëtare të kenë një mekanizëm të tillë për alarmimin masiv dhe informimin e qytetarëve në rast të situatave të krizës. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR