• e hënë, 23 dhjetor 2024

QMK: Deri më 22 qershor zonë e rrezikshme në Vodno, ekzaminim i gazsjellësit me presion të lartë

QMK: Deri më 22 qershor zonë e rrezikshme në Vodno, ekzaminim i gazsjellësit me presion të lartë

Shkup, 31 maj 2024 (MIA) - Lëvizja e qytetarëve në Vodno në afërsi të seksionit të gazsjellësit Shkup - Gostivar do të rregullohet edhe atë në një rrip të sigurimit prej 100 metrash në të dy anët e tubacionit, kumtoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), duke transmetuar informacionin nga kompania “Rapid Bild” SHPK.

Lëvizja e rregulluar në afërsi të seksionit të gazsjellësit Shkup -  Gostivar, në një rrip të sigurimit prej 100 metra nga të dyja anët e tubacionit, siç thonë nga QMK-ja është për shkak të testimit pneumatik të qëndrueshmërisë dhe papërshkueshmërisë së gazsjellësit në tre intervale kohore radhazi në periudhën nga data 30 maj deri më 22 qershor 2024.

"Intervali i parë, nga 30 maji deri më 12 qershor, është në pjesën nga kisha "Shën Mina" në Sopishtë deri në stacionin policor Gllumovë. Intervali i dytë është nga data 7 deri më 16 qershor në seksionin nga stacioni policor Gllumovë deri në fshatin Paniçarë të komunës së Sarajit, ndërsa intervali i tretë është nga data 12 deri më 22 qershor në pjesën nga fshati Paniçarë në komunën e Sarajit deri në fshatin Llërcë të Komunës së Zhelinës", theksohet në kumtesën.

Në njoftimin e QMK-së theksohet se në përputhje me rregulloret ligjore dhe procedurën e miratuar për punë nga investitori dhe mbikëqyrja në projektin për ndërtimin e gazsjellësit magjistral Shkup - Gostivar, gjatë kryerjes së testit të qëndrueshmërisë dhe papërshkueshmërisë, qasja e personave të paautorizuar në rripin e sigurisë prej 100 metrash nga të dyja anët e tubit është e kufizuar.

Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave thonë se qasja në Vodno nuk është e ndaluar, por theksojnë t'u kushtohet vëmendje zonave që janë të shënuara me shenja paralajmëruese që janë të vendosura në vetë shtigjet e ecjes me shirita të lidhur shtesë nëpër shtigje. Në shtigjet që kalojnë nëpër zonat e ekzaminimit, QMK thotë se kompania duhet të vendosë edhe persona për njoftim dhe paralajmërim.

Nga QMK-ja shtesë janë njoftuar edhe MPB, DMSH, NP Pyjet Kombëtare, NP për ekonomizim me kullosa, Qyteti Shkupit dhe komunat, Sopishte, Karposh, Saraj, Zhelinë, Tetovë, Bërvenicë dhe Gostivar. ls/ 

Foto: Qendra për menaxhim me kriza

 

QËNDRONI TË LIDHUR