• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qeveria miratoi Strategjinë e re Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030

Qeveria miratoi Strategjinë e re Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030

Shkup, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Qeveria miratoi Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030, me Plan Veprimi të strategjisë nacionale për vitin 2023-2026. Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, ai u krijua me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të personave me nevoja të veçanta dhe organizatave të tyre, ndërsa do të zbatohet me masa për të gjitha institucionet që u obliguan për të. Për realizimin e strategjisë Qeveria miratoi 46 milionë euro.

"Strategjia është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse përfshin të gjitha nevojat e të gjitha kategorive të personave me nevoja të veçanta për të cilat ata kanë bërë përpjekje ndër vite.  Në strategjinë është saktësuar se ç'farë duhet të bëhet për personat me nevoja të veçanta, përmes ndjekjes dhe realizimit të masave dhe aktiviteteve në të. Kjo strategji është pjesë e programit qeveritar, ndërsa bartës është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetje teknike të Agjencisë gjermane për zhvillim ndërkombëtar, me koordinim të Trupit Koordinativ Nacional Qeveritar për implementimin e Konventës së KB-së për të drejtat e personave me nevoja të veçanta dhe përkrahje profesionale teknike mbështetjen e të gjitha agjencive të Kombeve të Bashkuara në vend", informon shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Për zbatimin e strategjisë, thuhet në njoftim, janë përfshirë pothuajse të gjitha ministritë dhe institucionet – ministritë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës,  Financave, Drejtësisë, Vetëqeverisjes Lokale, Punës dhe Politikës Sociale,  Transportit dhe Lidhjeve,  Arsimit dhe Shkencës, Kulturës,  Shëndetësisë, Ekonomisë, Enti Shtetëror i Statistikave, Agjencia për Rini dhe Sport, si dhe Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Këto institucione sipas periudhave duhet "qartë t'i planifikojnë aktivitetet dhe masat në të cilat janë bartës ose pjesëmarrës, në Planin e Veprimit 2023-2026, si dhe në kohë t'i sigurojnë burimet e nevojshme (njerëzore, materiale dhe teknike) për implementimin e tyre.

"Strategjia nacionale është përgatitur me pjesëmarrjen absolute të 27 organizatave të personave me nevoja të veçanta, të gjitha agjencitë e KB-së në vend dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian. Në përgatitje dhe me propozimet e tyre morën pjesë 31 institucione shtetërore, fusha akademike përmes Fakultetit të Edukimit Special Shkup, Fakulteti Juridik - Shkup, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Oda Ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në proces, në mënyrë aktive janë përfshirë të gjitha shoqatat nacionale të organizatave me nevoja të veçanta në vend, Shoqata e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta “Qendra burimore”, shoqatat e qytetarëve “Në botën time”, "Hapni dritaret", "Inkluziva" Kumanovë, "Polio Plus", "Hera", Shoqata Rinore e të Shurdhërve "Shenja e Re", Një dozë gëzim, Instituti për të Drejtat e Njeriut, Shoqata për Ndihmë të Personave me Nevoja të Veçanta "Një rreze", Qendra Kulturore Eureka, Shtëpia e Lumturisë, Është koha, Shoqata e personave me nevoja të veçanta "Shpresa", SHQ "Mirësia", Fondacioni "Hap pas hapi", Izbor Strumicë, Shoqata maqedonase e juristëve të rinj – SHMJR Shkup, Komiteti i Helsinkit, përfaqësues nga zyra e Avokatit të Popullit dhe të tjerë", kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Kjo strategji, theksojnë nga Qeveria, është zhvilluar në përputhje me detyrimet dhe parimet që ka marrë përsipër Konventa për të Drejtat e Personave me nevoja të veçanta, motoja e së cilës është "Asgjë për ne, pa ne". Më pas është plotësuese e Strategjisë Evropiane për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, bazuar në të dhënat dhe analizat e bëra mbi situatën aktuale me respektimin dhe realizimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR