• e premte, 05 dhjetor 2025

Qeveria me rekomandim për punëdhënësit lidhur me valën e të nxehtit

Qeveria me rekomandim për punëdhënësit lidhur me valën e të nxehtit

Shkup, 22 korrik 2025 (MIA) - Duke marrë parasysh efektin kumulativ të valës së zgjatur të të nxehtit, Qeveria ka miratuar informacion dhe ka lëshuar rekomandime për punëdhënësit që vlejnë nga 23 korriku deri më 26 korrik, me të cilat rekomandohet përjashtim nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç.

Siç informoi Qeveria, kjo masë lejon edhe punë nga distanca, orar pune fleksibël dhe të dyfishtë, aty ku është e mundur.

Paraprakisht, Ministria e Shëndetësisë informoi opinionin publik se, sipas parashikimit më të fundit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), vala e të nxehtit me temperatura mbi 40°C do të vazhdojë deri më 26 korrik 2025.

"Duke e pasur parasysh efektin kumulativ të ekspozimit të zgjatur ndaj temperaturave të larta mbi shëndetin e kategorive të ndjeshme të popullsisë, Qeveria me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, ka miratuar rekomandime shtesë për punëdhënësit, të cilat do të jenë në fuqi gjatë periudhës nga 23 deri më 26 korrik 2025. Rekomandohet lirimi nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Kur është e mundur, të mundësohet punë në distancë, orar fleksibil ose orar i ndarë në dy ndërrime. Këto rekomandime nuk vlejnë për të punësuarit në infrastrukturën kritike, siç janë: shëndetësia, policia, ushtria, transporti, energjetika dhe ndërmarrjet publike komunale", theksohet në komunikatë.

Në mënyrë plotësuese, Qeveria rikujton masat tashmë në fuqi nga plani i veprimit, e ajo është shtyrja e procesit të punës nga ora 11:00 deri në 17:00 për punëtorët që janë të ekspozuar ndaj të nxehtit të drejtpërdrejtë, detyrimi për të siguruar kushte mikroklimatike për punë – hapësira pune me temperaturë deri në 25°C, përveç atyre rasteve kur natyra e punës nuk lejon ndryshe, informim i vazhdueshëm i publikut përmes institucioneve, aktivizimi i protokolleve të brendshme për punë në kushte të jashtëzakonshme në të gjitha institucionet shëndetësore, shtëpitë për të moshuar dhe institucionet arsimore.

Të gjitha institucionet e tjera të përfshira në Planin e Veprimit bëhen thirrje të vazhdojnë me zbatimin e detyrimeve dhe aktiviteteve të tyre.

Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë apelon te popullata që të respektojë rekomandimet ekzistuese për vetëmbrojtje, Qëndroni në ambiente të freskuara, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00, konsumoni mjaftueshëm lëngje, duke shmangur alkoolin dhe pijet e ëmbla, vishni rroba të lehta dhe me ngjyrë të çelët, përdorni mbrojtje për kokën dhe sytë, shmangni aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës, kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna – ato janë veçanërisht të ndjeshëm.

Më tej në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës – menjëherë të kërkohet ndihmë mjekësore, të shtyhen aktivitetet në ambiente të hapura përtej orëve kritike të ditës, të sigurohen ambiente të freskuara (deri në 25°C) në vendin e punës dhe në shtëpi. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR