• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Qeveria e Kosovës deri më 18 korrik do të dorëzojë komente në BE për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit

Qeveria e Kosovës deri më 18 korrik do të dorëzojë komente në BE për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit

Prishtinë, 16 korrik 2024 (MIA) - Qeveria e Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim në Bruksel mbi dokumentin e planit të sekuencimit brenda kohës së paraparë më 18 korrik, ka bërë të ditur këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.

Në një përgjigje për RTV21 Kadiu fajëson Serbinë për mos gatishmëri të zbatimit të marrëveshjes. Por, opozita kritikon Qeverinë për mos gatishmëri të zbatimit të obligimit të cilat, sic thonë, Kurti i kishte pranuar në Bruksel dhe në Ohër. Analistët vlerësojnë se procesi i dialogut është bllokuar. Kërkojnë ndërprerjen e tij deri në rimodelim të formatit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak. Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, tha Kadiu për rtv21.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se nuk sheh vullnet të Qeverisë për ta zbatuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij kryeministri Kurti ishte zotuar në prani të ndërkombëtarëve në Bruksel dhe në Ohër se do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, ndërsa tani po kërkon nënshkrimin e saj.

“Nëse Kurti në shkurt dhe në mars të vitit 2023 i ka thënë po marrëveshjes së Brukselit dhe tash po e kërkon nënshkrimin. Pse nuk ka kërkuar në Ohër nënshkrim, as në Bruksel nuk ka kërkuar nënshkrim. Nëse ai nuk e ka kushtëzuar sulmin dhe aktin agresionit në Banjskë, nëse ai nuk ka ndërmarrë hapa të tjerë, është absurde që tash të qes kushte. Dmth nuk ka vullnet prej Kosovës për ta zbatuar marrëveshjen”, tha Hoxhaj.

Përpjekjet e Bashkimit Evropën për zhbllokimin e procesit të dialogut nuk arritën rezultate për shkak se një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq kishte dështuar, ndërsa ai midis kryenegociatorëve kishte përfunduar pa ndonjë rezultat konkret. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR