Që të konfirmohet e vërteta lënda për vrasjen e Vanjës dhe Pançes duhet të kthehet në fazën e hetimit ose të caktohet rikonstruim, thotë avokati i njërit prej të akuzuarve
- – Lënda për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, sipas mbrojtjes të njërit prej të akuzuarve Bore Videvski, avokatit Bojan Manev, duhet të kthehet ose në fazën e hetimit ose të caktohet rikonstruim me të cilin do të sqaroheshin shumë çështje të hapura.
- Post By Fitore Curri
- 13:25, 16 prill, 2025

Shkup, 16 prill 2025 (MIA) – Lënda për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, sipas mbrojtjes të njërit prej të akuzuarve Bore Videvski, avokatit Bojan Manev, duhet të kthehet ose në fazën e hetimit ose të caktohet rikonstruim me të cilin do të sqaroheshin shumë çështje të hapura.
Sipas Manev, që të kemi aktgjykim të drejtë dhe të vërtetë dhe të konfirmohet e vërteta dhe faktet duhet të bëhet një nga ato dy punë. Në të kundërtën, theksoi ai, sido që të jetë aktgjykimi ai do t’i nënshtrohet ankesave.
“Përgjatë deklarimeve të të gjithë të akuzuarve lind në mënyrë të pashmangshme nevoja ose për të rikonstruktuar ngjarjen ose për kthimin e lëndës në hetim, pasi nëse ndiqni deklaratat përmenden persona të tjerë që kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje, por që nuk janë në bankën e të akuzuarve. Më tutje, dëshmi të rëndësishme po fshihen, gjegjësisht nuk po prezantohen”, deklaroi Manev.
Lënda, theksoi Manev, duhet të kthehet në fazën e hetimit, që të konfirmohen ato fakte dhe konfirmimi i të vërtetës.
“Duhet të kthehet sepse po përmenden gjithnjë e më shpesh persona të tjerë që as nuk janë të akuzuar, e as janë në bankën e të akuzuarve, por përmenden në deklarata si pjesëmarrës. Janë disa xhirime që prokuroria për arsye të panjohura nuk na ka lejuar t’i shohim. Një nga këto xhirime është edhe regjistrimi në pompën e benzinës Lukoil në Veles, ku duket qartë fytyra e Pançe Zhezhovskit, e bërë rreth orës 12:00 të datës 22 nëntor dhe në aktakuzë thuhet se njeriu është vrarë në orën 9:00”, deklaroi Manev.
Gjëja e tretë, pse kjo lëndë duhet të kthehet në hetim, sipas Manevit, është ajo që Prokuroria nuk ka dhënë kurrfarë ekspertize të plumbave, me qëllim që të konfirmohet nëse bëhet fjalë për armë të ligjshme ose të jashtëligjshme.
“Puna e prokurorisë në procedurën hetuese është që t’i konfirmojë të gjitha faktet dhe t’i thërrasë njerëzit. Pse nuk e bën këtë prokuroria, siç nuk publikon edhe dëshmi të tjera të cilat janë me rëndësi të madhe, për këtë duhet t’i pyesni prokuroret”, deklaroi Manev.
Seanca e sotme gjyqësore për gjykimin për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhoskit u shty për shkak të mungesës së avokatit të të akuzuarit të parë Lupço Palevski.
Gjykatësi Ivica Stefanovski, informoi se sot ka marrë parashtresë nga avokati i Palevskit, avokati Jovica Strashevski, me dokumentacion mjekësor dhe kërkesë për shtyrje. Gjykatësi, theksoi se kjo është kërkesa e tij e parë, por nëse përsëritet në të ardhmen do të emërojë gjykatës me detyrë zyrtare.
Seanca e ardhshme gjyqësore e caktuar për më 23 prill duhet të vazhdojë me dëshmi të të akuzuarit të parë Lupço Palevski, i cili duhet të përgjigjet në pyetje të kryqëzuara të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve të tjerë. Në seancën e kaluar gjyqësore, Palevski duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Jovica Strasheski mohoi përgjegjësinë për vrasjen e dyfishtë, duke thënë se nuk ka motiv për krime të tilla dhe se është viktimë e një “atentati moral”, i organizuar nga strukturat politike dhe mediatike.
Palevski është dëshmitari i fundit i cili duhet të dëshmojë, pasi më parë, përveç dëshmitarëve të Prokurorisë, ishte marrë në pyetje babai Aleksandar Gjorçevski, si dhe të akuzuarit e tjerë.
I akuzuari Velibor Manev i sqaroi grabitjet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes, duke theksuar se organizator ishte Lupço Palesvski. Boro Videvski e mohoi pjesëmarrjen e tij në ngjarje, përderisa, Vllatko Keshishev theksoi se ai nuk ka dëshmuar në të njëjtat, sepse shumë shpesh i ishte dhënë detyrë që të bëjë rojë.
Sipas akuzës, Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup. E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s