PTHP-ja hap hetim kundër gjyqtarit suprem Georgiev dhe anëtarit të Këshillit të prokurorëve publik, Memeti
- Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj gjyqtarit suprem, Naqe Georgiev dhe anëtarin e Këshillit të prokurorisë publike, Ixhet Memeti, të cilët dyshohen për "marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:36, 21 maj, 2024
Shkup, 21 maj 2024 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj gjyqtarit suprem, Naqe Georgiev dhe anëtarin e Këshillit të prokurorisë publike, Ixhet Memeti, të cilët dyshohen për "marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.
Hetimi është hapur pas aksionit të MPB-së dhe pas kallëzimit të mëparshëm të djalit të një të akuzuari në një lëndë që po zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Dje në orët e pasdites MPB-ja ka realizuar aksion ku nga liria është privuar një gjykatës aktiv. Bazuar në njoftimin e dërguar nga MPB, BSP, Departamenti i policisë kriminale, Sektori për krim ekonomik dhe korrupsion, prokurori publik në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj dy personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale "Marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm nga neni 359 i Kodit penal", thuhet në njoftimin e PP-së.
Sipas informacioneve të marra nga denoncuesi, siç shtojnë nga PP i dyshuari i parë duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe ndikimin rrejshëm ka premtuar favore për të akuzuarin (babanë e ankuesit) në një procedurë tjetër që udhëhiqet pranë Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në mënyrë të rrejshme kanë premtuar se do të ushtrojnë ndikim së bashku me të dyshuarin e dytë”, theksohet në kumtesën e PP-së.
"Prokurori i lëndës, mbrëmjen e djeshme, përveç propozimeve për bastisje në disa lokacione, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një gjyqtar në gjykatën më të lartë në vend – Gjykatën e Lartë i cili gëzon imunitet dhe i cili u kap në flagrancë në kryerjen e veprës penale, propozimi përmes Gjykatës Themelore Penale i është dorëzuar për vendim Këshillit Gjyqësor të RMV-së të cilit gjatë natës i është hequr imuniteti me çka sot Gjykata Themelore Penale Shkup do të vendosë për masën e propozuar", shtojnë nga PP.
Nga atje thonë se provat e grumbulluara dhe kontrollet e deritanishme të kryera ofrojnë bazë ligjore që prokurori publik në fjalë të propozojë masën e paraburgimit vetëm për të dyshuarin e parë i cili është kapur në kryerjen e veprës penale, ndërsa në lidhje me të dyshuarin e dytë, deri në këtë moment provat nuk japin bazë për të sugjeruar masën më të rreptë të sigurisë.
"Hetimi vazhdon deri në verifikimin e plotë të të gjitha rrethanave dhe pretendimeve", thonë nga PP. qa/
Foto: arkivi i MIA-s