• e hënë, 23 dhjetor 2024

Propozim ligji për amnisti do të përcillet në Kuvend, paralajmëroi Kovaçevski

Propozim ligji për amnisti do të përcillet në Kuvend, paralajmëroi Kovaçevski

Shkup, 26 shtator 2023 (MIA) - Propozim ligji për amnisti është një procedurë e zbatuar për të cilën ministri i Drejtësisë Krenar Lloga në dy ditët e ardhshme do të ketë një brifing të detajuar me përfaqësues të mediave, ndërsa në ndërkohë do t'i përcillet Kuvendit, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski. 

Në konferencën e sotme pas seancës së Qeverisë, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me Ligjin për amnisti i cili ishte paraparë për seancën e sotme qeveritare, Kovaçevski rikujtoi se Ligji ka qenë në seancën e kaluar, në të cilën u vendos që të harmonizohet me sektorin e legjislacionit dhe pjesët tjera, njëra prej të cilave ishte edhe trajtimi i të dënuarve jashtë vendit në përputhje me konventat ndërkombëtare.

"Ajo është bërë ndërkohë. Gjatë dy ditëve në vijim, gjegjësisht 48 orëve, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga do të ketë brifing të detajuar me përfaqësuesit e mediave për këtë ligj i cili do të dorëzohet në të njëjtën kohë në Kuvend. Që do të thotë se bëhet fjalë për një procedurë të zbatuar dhe ministri i Drejtësisë i cili i di të gjitha detajet e këtij ligji dhe për të cilin tashmë e kishte informuar dhe e kishte dërguar për shqyrtim në grupet parlamentare në Kuvend përpara se të hartohej përfundimisht, do të ketë brifing të detajuar me mediat", tha kryeministri.

Kovaçevski më herët deklaroi se Propozim ligji për amnisti me të cilin mundësohet lirimi dhe ulja e dënimeve me burgim për veprat e lehta penale, nuk ka të bëjë me rastet e PSP-së, të dënuarit nga 27 prilli dhe funksionarë parlamentarë që ndiqen penalisht.

Ligji nuk ka marrë mbështetje nga VMRO-DPMNE opozitare, ndërsa lideri Hristijan Mickoski, njoftoi se jo vetëm që nuk do ta përkrahë, por me mjete demokratike do ta bllokojë.

Qëllimi i ligjit, sipas Ministrisë së Drejtësisë është që të mundësojë lehtësim në institucionet ndëshkuese përmirësuese, duke pasur parasysh se situata atje në periudhën e kaluar ka qenë alarmante, ndërsa kjo u theksua në raporte të shumta ndërkombëtare si dhe nga Komiteti kundër torturës pranë Këshillit të Evropës. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR